Arbëri

Haskuka: Shtëpia e komunitetit në Prizren fillon punën nga sot

Descriptive Text

Kryetari i komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka thënë se shtëpia e komunitetit për personat me aftësi të kufizuara mendore në këtë qytet do të fillojë punën nga sot.

Haskuka në emisionin "SOT" të KTV-së tregoi se investimet për këtë projekt kanë filluar dy vite më parë, që ka kushtuar në total 250 mijë euro.

“Një nga prioritet të qeverisjes lokale ka qenë ndihma për grupet e cenueshme. I kemi filluar investimet para dy vite, dhe këtu faktikisht investimi ka qenë 250 mijë euro me të gjitha pajisjet e nevojshme për objektin, ku do të strehohen të gjithë personat me probleme mentale. Është projekt me standarde evropiane. Drejtoria paraprake ka bërë marrëveshje me Drejtorinë e Shëndetësisë për kujdesin e personave që do të strehohen aty, përfshirë furnizimin me medikamente. Puna do të fillojë nga sot”, vazhdoi Haskuka.

I pari i Prizrenit shtoi se në këtë shtëpi do të strehohen 14 persona, ndërsa do të ketë 10 persona si staf teknik dhe profesional.

“Do të kemi persona profesionistë që do të merren me trajtimin e këtyre personave. Në qendër do të strehohen 14 persona. Persona nga Prizreni që i kemi në qendra të tjera, do të transferohen këtu. Do të ketë kujdes 24 orë. Stafi është trajnuar edhe sesi të ofrohen shërbime kualitative. Do të ketë 10 persona staf teknik dhe profesional. Të gjithë personat që nuk kanë përkujdesje dhe kanë probleme mendore tashmë kanë strehë”, u shpreh Haskuka.

Haskuka deklaroi se ndihma për këtë kategori të njerëzve dhe atyre të ngjajshme, në Prizren, ka filluar qysh nga marrja e qeverisjes nga ai.

“Që nga fillimi i qeverisjes, i kemi ngritur fondet me organizatat joqeveritare për të ndihmuar këtë pjesë të shoqërisë dhe jo vetëm. Kemi shumë projekte që i ndihmojmë organizatave joqeveritare që kanë të bëjnë me kategori të ndryshme, si ata me autizëm e të tjerë”, ka thënë Haskuka.