Arbëri

Rritet numri i qytetarëve në Pejë që kërkojnë ndihmë në Psikiatri

“Shumica e tyre janë në gjendje të ankthit, disa kanë simptoma të depresionit, disa janë me çrregullime somatoforme. Ndërsa, te një pjesë pak më e vjetër, në mosha pak më të shtyra kemi edhe fenomenin e rritjes së harresës”, ka deklaruar Muhamet Haliti, shef i Repartit Psikiatrik në Spitalin e Pejës

Pejë, 7 mars - Që nga fillimi i pandemisë, në marsin e vitit të kaluar, muaj pas muaji është shtuar numri i qytetarëve që trokasin në derën e Repartit Psikiatrik, në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës.

E veçanërisht gjashtë muajt e fundit, siç tregojnë në këtë repart, numri i personave që kërkojnë shërbime të shëndetit mendor është rritur shumë krahasuar me periudhën e njëjtë të viteve të kaluara.

Psikiatri Muhamet Haliti konsideron se në këtë gjendje mendore të pacientëve kanë ndikuar disa faktorë, por kryesorët, sipas tij, janë koha e gjatë me pandemi dhe masat e ndërmarra.

“Shumica e tyre janë në gjendje të ankthit, disa kanë simptoma të depresionit, disa janë me çrregullime somatoforme. Ndërsa, te një pjesë pak më e vjetër, në mosha pak më të shtyra kemi edhe fenomenin e rritjes së harresës”, ka deklaruar Haliti, shef i Repartit Psikiatrik në Spitalin e Pejës.

Haliti tregon se rritje të simptomatologjisë së problemeve psikike ka në të gjitha grupmoshat që po kërkojnë ndihmë aty.

E pavarësisht problemeve mendore dhe rrezikut për jetën që po shkakton pandemia, ende ka mjaft qytetarë që s’duan të dinë për të gjitha këto.

Rrugët dhe kafenetë plot në Pejë japin një pamje ku rreziku sikur nuk ekziston ose shpërfillet në maksimum.

Kjo ka reflektuar ditët e fundit edhe në katërfishimin e numrit të pacientëve që kërkojnë të marrin terapi në Qendrën për COVID në Pejë.

“Orari në aneks, që është prej orës 7 deri në ora 22.00, i kemi deri në 100 pacientë, ndoshta e kalon edhe numrin 100 që marrin terapi prej infektologëve ose pulmologëve”, ka deklaruar Fahri Berisha, mjek në Qendrën për COVID të QMF-5 në Pejë.

Berisha tregon se numri i pacientëve që marrin terapinë në këtë qendër po vazhdon të rritet dhe ai apelon te qytetarët e Pejës që të tregohen të ndërgjegjshëm në zbatimin e masave.

Peja është një prej 14 komunave që këtë javë janë në “zonën e kuqe”, e kategorizuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik. Sipas kësaj, komunat në “zonën e kuqe” kanë mbi 150 raste në 100 mijë banorë brenda javës.