Arbëri

Fushë-Kosova e Obiliqi nuk arrijnë t’i përmbushin premtimet

Kryetarët e dy komunave, Fushë-Kosovë e Obiliq nuk kanë arritur t’i përmbushin të gjitha premtimet e bëra gjatë fushatës elektorale nga zgjedhjet lokale të vitit 2017. Deri në fund të vitit 2020, ata i kanë përmbushur 33 premtime nga 76 sa i kanë të regjistruara gjithsej nga Institutit për Politika të Avancuara GAP.

Në përditësimin e fundit që e ka bërë ky Institut, shihet se kryetari i Fushë-Kosovës, Burim Berisha (LDK), është shumë larg përmbushjes së plotë të tyre. Ai gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet lokale të vitit 2017 i ka të regjistruara 42 premtime. Sipas Institutit GAP deri në fund të vitit 2020 i ka përmbushur 12 premtime, 13 i ka gjysmë të përmbushura, 8 i ka filluar, ndërsa 9 të tjera nuk i ka filluar ende.

Të përmbushura figurojnë 4 nga 11 premtimet nga fusha e arsimit, 6 nga 22 premtimet në infrastrukturë, 1 nga 5 premtimet në shëndetësi, 1 nga 2 premtimet në fushën e ekonomisë.

Ndërkohë që nuk figuron i përmbushur asnjë nga 2 premtimet në fushën sociale. Në platformën e GAP-it, kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi (AAK), i ka të regjistrauara 34 premtime. Sipas Institutit për Politika të Avancuara, prej tyre 21 i ka përmbushur, 8 i ka gjysmë të përmbushura, 4 i ka filluar dhe 1 premtim nuk ka filluar ende ta realizojë.

Të përmbushura janë 3 nga 4 premtimet nga fusha e arsimit, 9 nga 19 premtimet në infrastrukturë, 2 nga 3 premtimet në shërbimet publike, 4 nga 5 premtimet në bujqësi, 2 premtimet në fushën e shëndetësisë dhe 1 në fushën sociale.

Nga platforma e GAP-it është hequr ish-kryetari i Komunës së Podujevës Agim Veliu, pasi i njëjti e kishte braktisur pozitën e të parit të komunës për postin e ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës. Ndërkohë që, në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 29 nëntorit të vitit të kaluar, LDK e ka humbur këtë komunë dhe tash në krye të saj është Shpejtim Bulliqi i Vetëvendosjes. Në platformën e GAP-it tash figuron Bulliqi, të cilit i janë regjistruar 44 premtime. Por, sipas hulumtuesit të lartë në Institutln GAP, Bekim Salihu, meqenëse Bulliqi detyrën e ka marrë më 8 dhjetor, aty nuk janë përditësuar të dhënat për përmbushjen e këtyre premtimeve.

Sipas Institutit GAP, Bulliqi i ka bërë 5 premtime në fushën e Administratës, 9 në arsim, 3 në bujqësi, 4 premtime në fushën e ekonomisë, 3 në infrastrukturë, 3 në fushën e Kulturës, 6 në shëndetësi, 5 në shërbime publike, 3 në sociale dhe po aq në fushën e urbanizmit.

“Ndërsa kryetari aktual i Graçanicës, Sërgjan Popoviq (LS), nuk ka dhënë asnjë premtim zgjedhor së bashku me 9 kryetarë të tjerë të partisë së tij. I njëjti nuk ka pas program zgjedhor dhe as nuk është përfaqësuar në debate elektorale, për rrjedhojë nuk ka të listuar në platformën e GAP-it ndonjë premtim zgjedhor”, ka thënë Salihu.

Në një njoftim të Institutit GAP thuhet se nga gjithsej 869 premtime të evidentuara nga Instituti GAP në 25 komuna të ndryshme të Kosovës, deri në muajin dhjetor 2020 janë përmbushur 411 premtime, 186 premtime janë realizuar pjesërisht, 158 premtime kanë filluar të përmbushen, ndërsa për 114 premtime nuk është evidentuar ndonjë nismë në përmbushjen e tyre.

“Shikuar sipas përqindjes, nga 869 premtimet e dhëna, deri në dhjetor të 2020 janë përmbushur vetëm 47% e premtimeve. Pjesa më e madhe e premtimeve janë përmbushur në fushën e mirëqenies sociale 74%, pastaj rënditen fusha e administratës 58%, në fushën e ekonomisë 57%, në fushën e bujqësisë 56%, në fushën e shëndetësisë 50%, në fushën e shërbimeve publike 47% dhe në fushën e infrastrukturës 45%. Fusha ku më së paku janë përmbushur premtimet janë fusha e urbanizimit, arsimit dhe ajo e kulturës”, thuhet në njoftim.