Arbëri

Ish-hoteli “Karagaq” në Pejë, strehë e qenve endacakë

Descriptive Text

Objekti i ish-Hotel Karagaqit në Pejë para luftës ka qenë një prej adresave më të preferuara të pejanëve.

Kurse qe disa vjet objekti me hapësirat e veta është bërë strehë e qenve endacakë, pasi është mbushur me mbeturina.

Banorët e lagjes “Zatra” dhe nxënësit e shkollës fillore “Vaso Pashë Shkodrani”, që kalojnë asaj rruge thonë se ndihen të pasigurt.

“Kemi probleme. Qenë është krejt e mbushur. Vijnë natën e gjuajnë plehun. S’po ndërmerr kurrkush asgjë. Ka ardhur Komuna disa herë por kot, na njerëzit e bëjmë këtë bërllok”.

Objekti ka nisur të shkatërrohet pas vitit 2008, kur nga aty u largua Komanda e Zonës së Tretë të ish- TMK-së, ku ishte sistemuar në vitet e pasluftës.

Pas largimit të tyre, Agjencia Kosovare e Privatizimit e kishte privatizuar këtë aset të ish-ndërmarrjes shoqërore “Pejaturist”, por Komuna e kishte kundërshtuar me arsyetimin se toka është e saj dhe AKP-ja e kishe anuluar vendimin e privatizimit.

Pas kësaj Komuna dhe AKP-ja kishin nisur betejën nëpër gjykata për atë pronë.

Por në shtator të vitit 2018, Qeveria Haradinaj solli vendim që, mes të tjerash, edhe kjo pronë të hiqej nga privatizimi dhe t’i kalohej Komunës, por këtë vendim, siç thonë në Komunë, AKP-ja ende nuk e ka zbatuar.

“Na e vlerësojmë vendimin e ish-kryeministrit, që është valid dhe na e kemi bërë kërkesën me na u kthy ato prona në emër të Komunës. Ato janë heq njëherë prej privatizimit, veç nëse marrin ndonjë vendim tjetër”, ka deklaruar Arianit Krasniqi, drejtor komunal për Çështje Pronësore Juridike.

Për moszbatimin e vendimit të Qeverisë, KOHA ka kontaktuar AKP-në, e cila ka fajësuar Komunën e Pejës se ende nuk ka ndërmarr ndonjë veprim për pagesën e 20-përqindëshit për punëtorët, në mënyrë që të vazhdohet me bartje të pronës në pronësi komunale.

Komuna ka pohuar se ka bërë kërkesë për vlerësimin e pronës dhe se do ta paguajë 20-përqindëshin e vlerës së pronës nëse nuk e paguan Qeveria e Kosovës.