Arbëri

VV-ja në Prizren distancohet nga afishet e shkrimet pranë objekteve fetare

Prizren, 12 shkurt – Shtabi zgjedhor i Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Prizren është distancuar nga afishet dhe shkrimet pranë objekteve fetare në Prizren, duke pohuar se këto akte nuk janë kryer nga aktivistët e kësaj partie.

Drejtuesi i Shtabit të Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Prizren, Karanfil Haxhillari ka theksuar se në hapësirat publike të qytetit të Prizrenit afër disa xhamive është̈ vendosur afishja që mban logon e Lëvizjes Vetëvendosje si dhe numrin 127, sikurse edhe mbishkrimet “LVV 127”.

“Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Prizren, për hir të informimit të drejtë të opinionit publik, duke ruajtur integritetin e saj distancohet nga përmbajtjet e kësaj afisheje dhe këtyre shkrimeve. Kjo afishe tendencioze dhe shkrimet në muret e xhamive nuk janë shpërndarë nga aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje”, ka thënë Haxhillari.

Një ditë më parë, edhe Këshilli i Bashkësisë Islame në Prizren pati njoftuar se nuk ka lidhje me afishet që janë shpërndarë në këtë qytet, me anë të cilave kërkohej besimi për një subjekt politik.

“KBI-Prizren e njofton opinionin publik se nuk ka asnjë lidhje me afishet e shpërndara nëpër vende publike, në Prizren. Përkundrazi, Bashkësia Islame e dënon fuqishëm këtë keqpërdorim të citateve të Kur’anit nëpërmjet këtyre letrave e afisheve”, thuhej në reagimin e këtij Këshilli.

Sipas njoftimit të KBI në Prizren, personi që e ka vendosur një afish të tillë në shtyllën elektrike afër selisë së KBI-së në Prizren, tashmë është identifikuar nga kamerat e sigurisë.

“Bëhet fjalë për një qytetar që megjithatë njihet mirë se nuk ka ndonjë prapavijë, porse i beson mendimeve të tij personale”, shpjegohej në reagimin e publikuar në rrjetet sociale.

KBI në Prizren i ka bërë thirrje qytetarëve të Prizrenit, besimtarëve islamë, që të përmbahen nga ndonjë veprim i papeshuar që mund të nxisë gjuhën e urrejtjes, “në këtë periudhë të ndjeshme parazgjedhore, por të gjithë si vëllezër e motra, të promovojmë paqe e përbashkim rreth vlerave tona fetare e kulturore”.

Ditë më parë, aktivistë të degës së Nismës Socialdemokrate në Prizren patën shprehur shqetësimin për shpërndarjen e këtyre afisheve, duke e cilësuar këtë veprim si të rrezikshëm për Kosovën.