Arbëri

Mbi 2500 raste me COVID-19 në Ferizaj që nga fillimi i pandemisë

Gjatë ditëve të fundit vazhdimisht po shënon rritje numri i rasteve aktive me Covid 19 në komunën e Ferizajt. Në këtë komunë aktualisht janë gjithsejtë 141 raste aktive me këtë virus, ndërkohë që nga fillimi i pandemisë në këtë komunë janë infektuar mbi 2500 qytetarë.

Vetëm gjatë ditës së sotme janë regjistruar 12 raste të reja. Ndërkaq në Spitalin Rajonal të Ferizajt aktualisht janë duke u trajtuar 35 pacientë me Covid-19.

“Nga njoftimi i IKSHPK-së lidhur me rastet e reja me COVID-19, bëhet e ditur se kemi edhe 12 raste të reja pozitive me këtë virus në Ferizaj që çon në 141 numrin e rasteve aktive dhe 19 të shëruar që çon në 2461 numrin e të shëruarve”, thuhet midis të tjerash në një njoftim të Komunës së Ferizajt.

Jeton Zeqiri, drejtor i Spitalit Rajonal në Ferizaj, ka kërkuar nga qytetarët të vazhdojnë t’i respektojnë masat kundër Covid-19. Ai ka bërë me dije se spitali ka gjithsejtë 70 shtretër në dispozicion për trajtim të rasteve me Covid-19.

“I kemi të adaptuar 70 shtretër për adaptimin e pacientëve. I kemi mbyllur disa shërbime, mirëpo po presim deri të hënën se si po shkon situata dhe të fillojmë me procedura për kthimin e disa shërbimeve specialistike dhe programet elektive- kirurgjikale”, ka thënë Zeqiri për KOHËN.

Ndërkohë gjatë ditëve të fundit qytetarët kanë dërguar foto dhe video të ndryshme në të cilat po vërehen kandidatët për deputet duke mbajtur mbledhje e tubime të ndryshme me numër të madh të qytetarëve.