Arbëri

Vetëvendosje paralajmëron kallëzim penal ndaj Komunës së Fushë-Kosovës

Kallëzim penal kanë paralajmëruar zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje ndaj Komunës së Fushë-Kosovës për dyshimet që ata i kanë ngritur rreth shpenzimeve të 1.2 milion eurove për pandeminë COVID-19 gjatë vitit 2020. Shefi i Grupit të këshilltarëve të VV-së, Durim Hajra, ka thënë se nga kjo shumë afro 90 mijë euro ishin paraparë për blerjen e testeve për koronavirus, por që sipas tij, kjo nuk ka ndodhur. Hajra thotë se fillimisht në muajin prill si Kuvend kishin marrë vendim për ndarjen e 414 mijë eurove për luftimin e pandemisë.

“Ndërsa në vendimin e fundit në gusht 2020 kemi ndarë afro 700 mijë euro, prej tyre të parapara për blerjen e reagensëve, për blerjen e testeve falas për qytetarët, të cilët nuk janë blerë. Dhe ne kemi dyshimin se këto mjete nuk kanë shkuar në vendin e duhur. Pra, kemi dyshime që janë keqpërdorur. Mirëpo, në këto 700 mijë euro kanë qenë të përfshira edhe afër 400 mijë euro për biznese e mikrobiznese”, është shprehur Durim Hajra. “Ne konsiderojmë se këto mjete në përgjithësi nuk janë menaxhuar si duhet nga Shtabi Emergjent, por edhe nga organet e tjera komunale. Andaj edhe ne si Grup i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje do të ndërmarrim të gjithë hapat qoftë me kallëzim penal ose padi ndaj Kuvendit Komunal, në mënyrë që të dalin rrugët ose se nga janë shpenzuar ato mjete”.

Në anën tjetër, zëdhënësi i Komunës, Ali Topalli, ka thënë se shuma prej 1.2 milion eurosh ka qenë e dedikuar për pako ushqimore dhe higjienike, për dezinfektim, për teste dhe për ndihmë bizneseve. Edhe pse e pranon se 89 mijë euro kanë qenë për blerjen e testeve, sipas Topallit gjatë vitit të kaluar 3600 euro që i kanë paguar spitalit privat “Euro med” për testimin e punonjësve shëndetësorë dhe zyrtarëve të tjerë publikë. Ndërsa, 6400 euro të tjera janë bartur në këtë vit për blerjen e aparaturës për QKMF-në që do të shërbejë për testim. Por, Topalli nuk ka treguar se ku ka mbetur pjesa tjetër e këtyre mjeteve që ishin paraparë për blerjen e testeve.

“Së pari i kemi ndihmuar diku afro 600 biznese përmes mjeteve të realizuara përmes komunës me të gjitha procedurat që i ka kryer Drejtoria për Zhvillim Ekonomik. Këto janë realizuar nga rezervat e pagave në një shumë prej diku 599 mijë e 140 euro. Pastaj prej këtyre mjeteve diku 308 mijë e 600 janë ndarë për biznese dhe 89 mijë për teste, kurse pjesa tjetër është ndarë për pako ushqimore, pako higjienike, pastrim, dezinfektim të objekteve publike dhe banesore dhe dezinfektimi i të gjithë hapësirës të territorit të Komunës së Fushë-Kosovë”, ka thënë Ali Topalli. “Ndërsa, mjetet prej 302 mijë e 189 mijë euro të ndara nga Bashkimi Evropian përmes MAPL-së dhe MF-së kanë shkuar për subvencione në fushat që kemi konsideruar se kanë qenë më të goditura dhe që kanë nevojë për t’u ndihmuar, ka qenë shëndetësia, arsimi, Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport. Pra këto mjete të gjitha janë dedikuar gjatë kohës së përballjes me COVID-19”.

Kur është pyetur pse nuk janë blerë testet ashtu siç kishte marrë vendim Kuvendi, zëdhënësi i Komunës ka thënë se e kanë një marrëveshje me Spitalin privat “Euro med” të cilit ia kanë paguar 3600 euro për testimin e punëtorëve shëndetësorë dhe zyrtarëve publikë.

“Dhe pjesa tjetër është bartur për këtë vit për blerjen e aparaturës për realizimin e testeve. Sepse edhe po t’i blejmë testet, aparaturë nuk ka. Do të thotë, nuk mund të merren teste dhe pastaj ato të mbesin pa qenë aparatura e cila duhet të vendoset për t’u realizuar ato. Kështu që janë bartur për këtë vit dhe ne po shpresojmë se me mjetet që kemi në dispozicion tash shumë shpejt do të blejmë ato pajisjet e nevojshme që unë nuk i di saktësisht se çfarë janë, por e di që do të blihen ato pajisje pastaj për të siguruar edhe testet në mënyrë që qytetarët të marrin shërbime në QKMF”, është shprehur Topalli. “Është një shumë prej 6400 eurosh, por ne do të shohim edhe mundësi të tjera, koston e këtyre pajisjeve dhe do të mbulojmë krejt në këtë fillimvit dhe do të sigurohet edhe aparatura përkatëse për realizimin e testeve të COVID-it. Këto kanë qenë nga të hyrat, do të thotë është mbetje 6400 euro, por do të mbulohen me siguri, nëse është kostoja më e lartë do të mbulohen nga ana jonë”.

Megjithatë, zëdhënësi i Komunës së Fushë-Kosovës nuk ka treguar se ku ka mbetur pjesa tjetër nga shuma totale prej 89 mijë euro që ishin paraparë për blerjen e testeve.

“Jo, unë tani kam këto shifra që ne i kemi pasur në shfrytëzim dhe në dispozicion që është shfrytëzuar për këto nevoja do të thotë është pjesë që është e ndarë mu për këtë problematikë.

Jo, janë 6400 euro që ne i kemi në bazë të marrëveshjes që ne kemi me spitalin ‘Euro med’ e thashë”.

Ndërsa, sa i përket listës së bizneseve përfituese, Topalli ka thënë se kushdo që është i inetersuar mund të shkojë në Komunë të shoh listën e binzeseve përfituese.

“Unë të them të drejtën nuk i komentoj qëndrimet e subjekteve dhe partive politike, sepse është e drejtë e tyre të japin qëndrime, apo mendimet e tyre, është shumë normale. Por, të përfitojnë 600 biznese dhe të mos dihen ato, mua nuk po më duket aspak e logjikshme, sepse ato shënime janë të gjitha publike”, ka thënë ai.

Zëdhënësi i Komunës së Fushë-Kosovës thotë se këto biznese kanë përfituar nga 300 euro sa ka qenë shuma minimale deri në 1900 euro sa ka qenë ajo maksimale.

“Është e drejtë e atij subjekti politik që të ushtrojë padi ose ku di unë, të ndërmarrë masa që ata i parashohin. Mirëpo, ne si institucion, si komunë jemi të hapur, jemi transparentë dhe sigurisht se mbi bazën e argumenteve, mund të ballafaqohemi dhe atëherë e shohim se kush do të jetë ai i cili të them kushtimisht do të fitojë kontestin”, ka thënë ai.