Arbëri

Peja rrezikon të mbetet pa shërbimin e mbeturinave, kërkon ndihmën e Qeverisë

Descriptive Text

Qyteti dhe fshatrat e Pejës nga muaji shkurt rrezikojnë të mbesin pa shërbimin e bartjes së mbeturinave, për shkak të situatës financiare të krijuar në kompaninë rajonale të menaxhimit të mbeturinave “Ambienti”.

Drejtori i kësaj kompanie rajonale me dy njësitë e saj edhe në Istog dhe në Klinë, Nexhat Abdullahi, tha për KOHËN se me fillimin e pandemisë në muajin mars është çrregulluar situata financiare në kompani me rënien e inkasimit në 40 për qind në muajin vijues.

“Parashikimet dhe frika janë evidente se mosmundësia e inkasimit të sasisë së mjaftueshme të pareve, na veç diku në muajin shkurt kena me ndi rrezikshmërinë e mosmundësisë së funksionimit të ndërmarrjes”, tha Nexhat Abdullahi, drejtor i KRM “Ambienti”.


Zyrtarët e saj kanë kërkuar ndihmë nga Komuna e Pejës, e cila është pronare e 100 për qind të aksioneve të saj, por që deri tash nuk kanë marrë asnjë cent.

“Ajo duhet të subvencionohet. Në këtë rast ne nuk kemi kapacitet që 300 deri 400 mijë euro të ndihmojmë nga subvencionet, se aq i kemi të gjitha subvencionet”, tha Jeton Abazaj, drejtor i Financave.

Zgjidhje për këtë çështje ka kërkuar edhe shoqëria civile në Pejë.

“Institucionet e kanë përgjegjësinë, tu ja nis prej Qeverisë, Komunës edhe ndërmarrjes ‘Ambienti’. Pastaj sigurisht që do të duhej një vetëdijesim më i madh i qytetarëve në relacion për pagesat”, tha Veton Mujaj, drejtori i OJQ “Syri i Vizionit”.

Situatën e krijuar në këtë kompani mund ta kishte evituar Qeveria, e cila në mbledhjen e kaluar ka ndarë një milion euro për kompanitë publike, por “Ambienti” nuk u ndihmua.