Arbëri

Qytetarët e Podujevës, në dilemë nëse do të marrin pjesë në votime

Kriza me pandeminë i ka hedhur hije fushatës pesëditore për kryetar të komunës së Podujevës. Rritja alarmuese e numrit të të infektuarve me Covid-19 në këtë komunë, ka vënë shumë qytetarë në dilemë nëse do të marrin pjesë në zgjedhjet e 29 nëntorit.

Ata të dielën në rrethana të jashtëzakonshme pritet që t’u drejtohen kutive të votimit, pasi Agim Veliu për të marrë postin e ministrit në ish-Qeverinë Kurti e më pas në Qeverinë Hoti, hoqi dorë nga posti i kryetarit. Në garë për kryetar të Podujevës janë tre kandidatë: Nexhmi Rudari i LDK-së, Shpejtim Bulliqi i Vetëvendosjes si dhe Naim Fetahu i PDK-së.

Qytetari nga Podujeva Tahir Hasani, është në mëdyshje nëse do të dalë të votojë. “Ma para jo, shkaku i pandemisë sigurisht. Tash është kohë e shkurtër dhe nuk pritet asgjë”, ka thënë Hasani.

Qytetarë të tjerë kanë shprehur mendime të ndryshme për qeverisjen aktuale dhe për pritjet që i kanë nga kryetari i ri, që do të ketë mandat afatshkurtër, përkatësisht deri në mbajtjen e zgjedhjeve lokale në vitin e ardhshëm. Qytetari Izet Hyseni, thotë se presin vazhdim të kësaj Qeverisjeje.

“Presim vazhdimësi siç ka qenë përpara ajo rrugë, duhet të vazhduar. S’ka tjetër vetëm LDK-ja”, ka thënë Hyseni.

Njësoj është shprehur edhe një bashkëqytetar i tij, Xhevat Haliti.

“Pres që ajo parti që e ka pasur përpara ta marrë edhe tani”, ka thënë ai.

Por, ka edhe të atillë që duan ndryshime të qeverisjes 20-vjeçare të LDK-së në këtë komunë.

“Sa të është Isa Mustafa do ta sjellë LDK-në në 10 deputetë. Ai është përgjegjës për krejt çka është bërë deri tani edhe Agim Veliu. Ne jemi me Vetëvendosjen dhe po e provojmë. Unë 30 vjet ia kam dhënë LDK-së, tash do t’ia japim 10 vota Vetëvendosjes dhe tjetër kurrgjë”, ka thënë Emin Abazi.

Për ndryshime është shprehur edhe një qytetar tjetër. “Në emër të Zotit, që jemi shëndosh e rehat kemi me dalë, kemi me ba ndryshime të mëdha sivjet, PDK, partia më e madhe më e forta në Evropë e në botë”, ka thënë ky qytetar.

Zgjedhjet e 29 nëntorit do të mbahen në situatë të jashtëzakonshme, shkaku i pandemisë Covid-19. Komuna e Podujevës është në zonën e kuqe aktualisht për shkak të numrit të madh të të infektuarve. Vetëm gjatë ditës së martë në këtë komunë janë shënuar 30 raste të reja me Covid-19.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka thënë se ka kryer të gjitha përgatitjet e nevojshme për zgjedhjet për kryetar të Podujevës dhe Mitrovicës së Veriut, në përputhje me rekomandimet e IKSHPK-së për të parandaluar përhapjen e pandemisë.

Sipas zëdhënësit të këtij institucioni, Valmir Elezi, tashmë janë bërë edhe dy udhëzime në përputhje me rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik si dhe Ministrisë së Shëndetësisë.

“Qytetarëve që janë të infektuar me Covid-19 dhe janë në vetizolim, KQZ do t’u dërgojë ekipe mobile për të mundësuar votimin. Udhëzimi tjetër ka të bëjë me masat mbrojtëse kundër covid-19 që duhet të zbatohen nga ana e votuesve dhe stafi zgjedhor që do të angazhohet më 29 nëntor”, ka thënë Elezi për KOHËN.

KQZ-ja ditë më parë ka vendosur që fushata për zgjedhjet për kryetar të Komunës në Podujevës dhe Mitrovicë të Veriut të fillojë më 23 nëntor dhe të zgjasë deri më 27 nëntor. Ato ishin paraparë të mbahen më 15 mars, por për shkak të pandemisë me koronavirus ato u shtynë për 29 nëntor.

Sipas vendimeve të presidentit të Kosovës për shpalljen dhe caktimin e datës së zgjedhjeve, organizimi dhe mbajtja e zgjedhjeve për kryetar në Podujevë dhe Mitrovicë Veriore duhet të bëhet në koordinim dhe bashkërendim me institucionet përkatëse në pajtim me Ligjin për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 në Kosovës.

KQZ ka marrë vendim për kufizimin e shpenzimeve të fushatës zgjedhore, në të cilat kufiri i sipërm i shpenzimeve për subjektet politike në Komunën e Podujevës është 43.931 euro. Ky vendim mbështetet në listën preliminare të regjistrit civil sipas të cilit, në këtë komunë numri i votuesve të regjistruar është 87.863 votues. Ndërsa në Mitrovicën e Veriut, numri i votuesve të regjistruar është 23.180.