Arbëri

Komuna e Gjilanit nuk lidh kontratë për renovimin e kulmit të një shkolle shkaku i ankesave

Descriptive Text

Nga muaji gusht shkolla e mesme “Mehmet Isai” në Gjilan ka mbetur pa kulm pasi komuna nuk ka arritur që të sanojë dëmet të cilat janë shkaktuar nga erërat e forta.

Komuna ka shpallur tenderin dhe ka përzgjedhur fitues të tenderit kompaninë OE Avag Group SH.P.K &EING COM SH.P.K mirëpo një kompani tjetër NNP “CTA” SHKP e cila nuk është shpallur fitues i tenderit, është ankuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) duke pretenduar se ka pasur parregullsi gjatë procedurave të prokurimit të cilat janë udhëhequr nga komuna, raporton KOHA.

OSHP-ja e cila njihet edhe si “gjykata e tenderëve” ka vendosur për shqyrtimin e ankesës. Mirëpo zyra e prokurimit në Gjilan ka kërkuar nga OSHP-ja që të mos e shqyrtojë ankesën e operatorit ekonomik por të lejojë vazhdimin e procedurës dhe lidhjen e kontratës me operatorin OE Avag Group SH.P.K &EING COM SH.P.K.

Arsyetimi i zyrës në Gjilan është se nuk duhet humbur kohë me trajtimin e lëndëve ngase rregullimi i kulmit në këtë shkollë është urgjent.

“Duke pas parasysh se jemi në fillim të sezonit të dimrit dhe mos rregullimi i kulmit në kohë sa më të shkurtë do të ketë dëmtime edhe më të mëdha në shkollë dhe do të bëjë të pamundur rregullimin e dëmeve të shkaktuara. Kërkojmë nga ju që të nxirrni një vendim për dhënien e të drejtës së vazhdimit të procedurës për lidhjen e kontratës me tenderuesin e propozuar për kontratë për arsye se kemi të bëjmë me një rast urgjent”, thuhet në arsyetimin e komunës.

Mirëpo OSHP-ja ka refuzuar kërkesën e komunës ngase sipas tyre këto arsyetime nuk janë bindëse për OSHP-në dhe se do të vazhdohet me shqyrtimin e ankesës së operatorit ekonomik.

“Konstatojmë se do të vazhdohet me shqyrtimin e rregullt të ankesës së operatorit ekonomik ankues dhe shqyrtimi në mënyrë të rregullt i ankesës së operatorit NNP “CTA” SHPK Prishtine nuk paragjykon rezultatin final të këtij aktiviteti të prokurimit”, thuhet në arsyetimin e OSHP-së.

Ndërkaq për këtë çështje ka pasur reagime edhe nga këshilltar komunal të cilët kanë kërkuar që të rregullohet kulmi i shkollës. Këshilltarja komunale, Mimoza Kadriu ka deklaruar se intervenimi është urgjent.

“Me datën 18 gushte ne ora 22.30 nga stuhia e erërave dhe shiut qe ndodhi atë nate, u dëmtua rende. Nga ajo nate, shkolla punon me gjysmën e kapaciteteve te hapësirave, duke ndikuar ne cilësinë e mësimdhënies. Gjithashtu kërkova urgjentisht te fillohen punimet, sepse tani po futemi në stinën e dimrit dhe mundësia për të pasur vazhdimisht te reshura atmosferike, është gjithmonë e pa pritur. Nëse nuk intervenohet shpejte, rrezikon te dëmtohet e tere infrastruktura shkollore brenda objektit”, ka thënë ajo.