Arbëri

Vetëvendosje dyshon se Obiliqi qëllimisht i tejkaloi limitet e porosive në dy kontrata

Zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje në Obiliq dyshojnë se komunarët kanë gabuar qëllimisht kur i kanë tejkaluar limitet e porosive të dy kontratave në kundërshtim me rregullat ligjore.

Kryetari i kësaj qendre të VV-së, Halil Thaçi, thotë se këto tejkalime mund të kenë ndikuar në mosblerjen e produkteve të tjera të nevojshme, shkruan KOHA.

“Qeverisja lokale e Obiliqit e udhëhequr nga AAK është joprofesioniste dhe e paaftë të menxhojë me komunën, kjo është e dukshme në çdo aspekt. Tejkalimi i sasisë së porosive nga norma e lejuar mbi sasinë e kontraktuar është edhe një fakt shtesë se aty ka paaftësi në punë për të mos thënë gabim të qëllimshëm. Të gabosh sasinë për 500 copë dhe 1650 copë nuk është një shifër e vogël, edhe pse nga ana financiare nuk kishte ndonjë ndikim të madh, por ky gabim ka ndikuar negativisht dhe mund të ketë pamundësuar furnizmimin e produkteve tjera”, është shprehur Thaçi.

Sipas tij, ky është një tregues për atë se si punohet në këtë komunë dhe si menaxhohet me paranë publike.

“Ne si Lëvizje Vetëvendosje! në Kastriot kemi dhënë mendimin tonë lidhur me vërejtjet e auditorit, disa prej të cilave janë shumë serioze, siç është lëshimi i dokumentacionit të tenderit pa bashkangjitur përshkrimin e hollësishëm të projketit. Nuk mund të ketë planifikim e as udhëheqje të sukseshme me individë apo militantë që nuk janë profesionistë të fushës përkatëse”, ka thënë ai.

Në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditorit (ZKA) për vitin 2019, thuhet se pika 56.10 e Rregullës dhe Udhëzuesit Operativ për Prokurimin Publik, përcakton se: mospërputhja e lejuar plus/minus tridhjetë përqind (30%) vlen edhe për lote dhe për pozicion/artikull, dhe në rast të arritjes së pragut të lejuar AK nuk mund të bëjë porosi tjera për atë lot apo pozicion/artikull.