Arbëri

Shtatorja e Fadil Vokrrit do të vendoset në parkun e qytetit të Podujevës

Foto: Driton Paçarada / KOHA

Zyrtarët e ekzekutivit të Podujevës kanë propozuar që shtatorja e ikonës së futbollit, Fadil Vokrri, të vendoset në parkun e qytetit. Por, këshilltarët e VV-së këtë propozim e kanë parë si tendencioze nga ana e Komunës, pasi sipas tyre në vitin 2018 kishin propozuar që ajo pjesë e qytetit të emërtohej sheshi “Adem Demaçi”.

Kryetari i Qendrës së VV-në këtë komunë, Bajram Ajeti, në mbledhjen e Kuvendit Komunal të së mërkurës, ka thënë se për dy vjet nuk kanë marrë as përgjigje për këtë.

Propozimin për vendosjen e shtatores së Vokrrit e ka bërë drejtori për Planifikim Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit, Hamdi Jaha, raporton KOHA. 

“Është një kërkesë nga Komiteti sportiv i Llapit për të caktuar lokacionin për shtatoren e Fadil Vokrrit. Nëse ju pranoni, do të vendoset në parkun e qytetit ku është një figurë e Bashkimit Evropian”, ka thënë Jaha.

Ky propozim është pranuar nga këshilltarët e partisë në pushtet, LDK. Por, Bajram Ajeti ka thënë se ka vende edhe të tjera ku mund të vendoset shtatorja e Fadil Vokrrit.

“Kërkesa e Komitetit Sportiv është shumë e drejtë. Mirëpo, lokacioni besoj nuk është më i qëlluari, sepse duhet të jetë një vend më publik. Ky propozim duket se është tendencë kundër Vetëvendosjes, pasi ne në vitin 2018 kemi propozuar që shëtitorja buzë lumit Llap të emërtohet sheshi ‘Adem Demaçi’. Por, kjo kërkesë nuk është shqyrtuar ende. E para nuk është respektuar procedura administrative, sepse nuk na jeni përgjigjur. E dyta, e keni propozuar të njëjtin lokacion që e kishim propozuar ne për Adem Demaçin”, ka deklaruar kryetari i Qendrës së VV-së në Podujevë. “Pse të mos vendoset shtatorja e Fadil Vokrrit në Bulevardin që po ndërtohet, ose në sheshin këtu përballë shtatores së Ali Ajetit. Edhe ashtu kanë qenë prej të njëjtit fshat, Sfeçël? Pse jo edhe në një rrethrrotullim që do të ndërtohej në rrugën Podujevë-Prishtinë, ose edhe te stadiumi, që do të ishte një motiv për gjeneratat që do të merreshin me futboll?”, ka pyetur Ajeti.

Por, kryesuesi i Kuvendit, Fatmir Gashi, ka thënë se kërkesa e VV-së për sheshin “Adem Demaçi” do të duhej t’i drejtohej drejtorive përkatëse e jo kryesuesit të Kuvendit.

Megjithatë, për shefin e Grupit të këshilltarëve të Vetëvendosjes, Vendenis Lahu, është e çuditshme dhe e panevojshme që Drejtoria të caktojë të njëjtin lokacion me atë që e kishin propozuar në vitin 2018 për Adem Demaçin.

“Kemi lokacione të ndryshme, të mira, jo vetëm për ikonën e futbollit, por edhe për të gjitha figurat tjera të rëndësishme të Llapit. Është mirë që të vendosim bashkërisht lokacionin dhe t’i nderojmë ashtu siç e meritojnë”, ka thënë ai.

Ndërkohë, këshilltari nga radhët e PDK-së, Rafet Llapashtica, ka kërkuar që lokacioni të votohet sot, para se të dërgohet shtatorja në Prishtinë.

“Është mirë që ashtu siç vendoset emri i sheshit, aty të vendoset edhe shtatorja. Është mirë që ne të vendosim sot për lokacionin (për shtatoren e Fadil Vokrrit v.j.) sepse mund të na e marrin në Prishtinë dhe pastaj nuk mund as ta kthejmë...Vetëm është mirë të hiqen ata buburreca e buba që i keni vendosur ma herët...”.

Propozimi i Drejtorisë për Planifikim Urban dhe mbrojtje të Mjedisit për të vendosur shtatoren e Vokrrit në parkun e qytetit është miratuar me shumicë votash.