Arbëri

Përurohet çerdhja publike për 200 fëmijë në Lipjan

Komuna e Lipjanit ka përuruar objektin e çerdhes me kapacitet për 200 fëmijë.

Ky projekt i ka kushtuar Komunës në vlerë prej 323, 991.89 euro. 

Kryetari i komunës, Imri Ahmeti ka thënë se është kënaqësi përurimi i një objekti me standarde të larta dhe kushte moderne, i cili do të shërbejë për edukimin e fëmijëve në moshë të hershme. Ai ka theksuar se investimi në çerdhe publike, është po aq i rëndësishëm sa investimi në institucione të arsimit të lartë, sepse sa më të vegjël të kyçen fëmijët në institucione arsimore aq më shumë përparojnë dhe përgatiten për rrugën e tyre drejt shkollimit.

“Ishte edhe zotim i yni që Lipjanit t’i shtohet edhe një çerdhe e re, në mënyrë që gjithë atyre që punojnë të kenë mundësi shtesë për vendosjen e fëmijëve të tyre në këtë institucion publik” është shprehur Ahmeti përmes Facebook-ut. 

Ndërkaq, për shkak të situatës aktuale të ballafaqimit me pandeminë Covid – 19, kryetari Ahmeti u bëri apel punëtorëve të çerdhes dhe prindërve që sjellin fëmijët e tyre në këtë çerdhe, të respektojnë rekomandimet e IKSHPK-së për parandalimin e përhapjes së virusit Covid – 19.

Në anën tjetër, drejtoresha e çerdhes publike në Lipjan, Biha Azemi tha se me rritjen e numrit të banorëve në qytetin e Lipjanit është shtuar edhe kërkesa për çerdhe publike, prandaj ka falënderuar Komunën e Lipjanit për këtë investim.