Arbëri

Vozitësit e autoambulancave dhe stafi teknik në Shtime kërkojnë të përfshihen në listën për stimulim

Vozitësit e auto-ambulancave dhe stafi teknik në komunën e Shtimes, ankohen se nuk janë përfshirë në pakon e Ministrisë së Shëndetësisë për mbështetje në vlerë prej 300 euro, megjithëse sipas tyre, janë në kontakt të vazhdueshëm me pacientë të infektuar me Covid-19.

Gjatë periudhës së pandemisë janë shënuar disa raste të infektimit të vozitësve me koronavirus në Shtime si pasojë e kontaktit me pacientë. Të infektuar ka pasur edhe nga stafi teknik.

Në mbështetje të vozitësve dhe stafit teknik ka dalë edhe drejtoresha e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Shtime, Mirdita Hajdari, e cila ka thënë se ata me të drejtë po kërkojnë stimulim nga Ministria e Shëndetësisë, mirëpo sipas udhëzimeve nuk mund të përfshihen në pakon për stimulim.

“Ministria e ka paraparë që vetëm stafi mjekësor që kanë kontakt të drejtpërdrejtë me pacientët të përfshihet në pakon për mbështetje prej 300 eurosh, ndërkaq vozitësit dhe stafi tjetër nuk janë përfshirë, prandaj ne nuk mund të bëjmë asgjë nga QKMF-ja. Sidoqoftë stafi me të drejtë po ankohet rreth kësaj çështje, sepse prej tyre ka pasur të infektuar dhe që kanë qëndruar në vetizolim”, ka thënë Hajdari.

Sipas saj, në këtë komunë aktualisht janë 17 raste aktive me COVID-19, ndërkaq 3 pacientë janë duke u trajtuar në spital. Deri tash janë shënuar 8 raste të vdekjeve si pasojë e COVID-19.

Që nga fillimi i pandemisë në këtë komunë janë shëruar 115 pacientë nga COVID-19.