Arbëri

Peja e Istogu demantojnë MPL-në se nuk kanë ndarë mjete për luftimin e pandemisë

Komuna e Pejës dhe ajo e Istogut, sipas Ministrisë së Pushtetit Lokal, nuk kanë ndarë deri tash buxhet për menaxhimin e pandemisë COVID-19.

Në një grafikon të shpenzimeve të komunave për menaxhimin e pandemisë, prapa Komunës së Pejës dhe Istogut qëndron numri zero te shpenzimet për menaxhim të pandemisë.

Mirëpo, sipas Komunës së Pejës, kjo e dhënë nga Ministria është e gabuar, pasi siç tha drejtori i Financave, Jeton Abazaj, Kuvendi Komunal dy herë ka miratuar kërkesat e ekzekutivit për ndarjen e mjete për menaxhim të pandemisë, raporton KOHA.

“Është i pavërtetë lajmi se Komuna e Pejës nuk ka ndarë asnjë cent buxhet lidhur me menaxhimin e pandemisë Covid-19. Për këtë kemi dëshmi edhe mbajtjen e dy seancave të jashtëzakonshme, ku pozitë dhe opozitë i kanë votuar të dy vendimet. Dhe komuna e Pejës ka ndarë 250 mijë euro buxhet për menaxhimin e pandemisë Covid-19”, ka thënë Abazaj.

Sipas Abazajt, këto mjete janë ndarë prej kodit të investimeve kapitale, prej të cilave 100 mijë euro janë shpenzuar për pako ushqimore dhe higjienike për familjet nevojtare, kurse 100 mijë euro të tjera për dezinfektim, mjete higjienike, maska dhe furnizime të tjera për stafin komunal dhe Qendrat e Mjekësisë Familjare. Kurse, 50 mijë eurot e tjera janë për subvencione dhe për ndihmë rastet specifike për trajtime mjekësore.

Edhe në Komunën e Istogut i kanë quajtur të pavërteta të dhënat në raportin e Ministrisë.
 

Drejtori i Financave në këtë Komunë, Hysni Maxharraj, i ka shpalosur si dëshmi vendimet e sjella me shumat që kjo komunë ka shpenzuar që nga fillimi i gjendjes emergjente.

“Janë 120 mijë e 800 euro të ndara deri më tani nga Komuna e Istogut për menaxhimin e pandemisë Covid-19. Plus në rishikim të buxhetit e kemi kërkesën edhe për 30 mijë euro”, është shprehur Maxharraj.

Këto mjete, sipas Maxharrajt, janë ndarë me vendime të kryetarit të Komunës nga kodi për mallra e shërbime dhe nuk ka pasur nevojë të kalohen përmes Kuvendit Komunal, pasi nuk janë marrë mjete nga projektet kapitale.

Të dy shefat e kuletës komunale kanë siguruar se do të vazhdojnë ndarje të mjeteve për menaxhim të pandemisë, varësisht nga situata që do të krijohet.