Arbëri

Pronarët e disa bizneseve në Pejë ankohen se komuna ua rrëzoi objektin jashtëligjshëm

Për 18 vjet me radhë zhvilluan veprimtari biznesi në pronat e Hekurudhës në Pejë, me të cilën kishin edhe kontratë të qiramarrësit.

Për aq kohë sa punuan, për objektet e vendosura në to, pronarët thonë se kanë pasur edhe leje të ndërtimit dhe licencat e nevojshme, raporton KTV.

Por, tash komuna e Pejës bashkë me Ministrinë e Infrastrukturës kanë vendosur që pronat përreth hekurudhës t’i kthejnë në një Bulevard.

Për këtë, kuvendi komunal mori vendim që t’i rrënojë afër 12 biznese, duke i lënë pa zgjidhje pronarët.

Ankohen se ky vendim i komunës është i jashtëligjshëm, pasi pohojnë se edhe vetë “Infrakosi” ka ushtruar padi ndaj këtij vendimi të komunës e më pas Gjykata ka lëshuar aktvendim, përmes të cilit komunës i ndalohet ndërhyrja deri në ndonjë vendim përfundimtar.

Por, komuna e Pejës nuk e respektoi këtë aktvendim, pasi që javën që lamë pas ndërhyri në rrënimin e këtyre bizneseve.

Në anën tjetër, kryetari i komunës mohon se veproi jashtëligjshëm, duke thënë se aktvendimi ka të bëjë me Ministrinë e Infrastrukturës që të mos nisë implementimin e projektit.

Ndërsa, shton se ato objekte për gjithë këto vite vepruan ilegalisht.

Muhaxheri thotë se Infrakosi nuk ka pasur të drejtë të japë në shfrytëzim pronat e saj.

Por, në aktvendim e gjykatës thuhet qartë se Komunës së Pejës i ndalohen menjëherë të gjitha veprimet që i ka ndërmarrë në rrënimin e lokaleve, të cilat janë të ndërtuara në pronë të Hekurudhave.

Kohavisioni ka provuar të kontaktojë edhe me Agron Thaçin drejtorin e “Infrakosit”, por ai nuk u është përgjigjur thirrjeve.