Arbëri

Në Gjilan nga e hëna hapen çerdhet dhe fitneset

Nga e hëna në Gjilan do të hapen çerdhet e fitneset.

Kryetari Lutfi Haziri, ka kërkuar nga qytetarët t’i respektojnë masat antiCovid-19, në të kundërtën paralajmëroi ashpërsimin e tyre.

"Tani kemi 153 raste aktive me Covid-19, prej të cilëve 38 janë të hospitalizuar në Spitalin e Gjilanit, ndërsa nuk kemi qytetarë tanë që janë të shtruar në QKUK apo klinika tjera. Ju lutem ruajeni veten, familjen dhe të tjerët, në mënyrë që të mos na detyroni t'i shtrëngojmë masat. Rritja e numrit të të infektuarve dhe i rasteve të vdekjes do të na detyrojë t’i shtrëngojmë masat”, ka thënë kryetari Haziri.

Nga e hëna, tha ai, do të fillohet me hapjen e çerdheve, fitneseve, sporteve edukuese.

“Ne, të hënën po planifikojmë t’i hapim çerdhet. Ende nuk kemi konfirmim se cilat çerdhe në çfarë kohe, por në kuadër të lehtësimit të masave i ftoj menaxhmentin e çerdheve, edhe publike edhe private, që të përgatiten, ne do t'i hapim çerdhet, sallat e sportit edukues, fitneset...”, ka thënë Haziri duke shtuar se për klubet e futbollit Gjilani e Drita, do të krijojnë kushte të veçanta për përgatitje pasi ato klube do të përfaqësojnë vendin në Evropë.