Arbëri

Rinia e PDK-së “ia vë” infuzionin në oborr Komunës së Lipjanit

Descriptive Text

Opozita në Lipjan ka vazhduar me një aktivitet tjetër pas publikimit të një videoje në të cilën shihen pacientët duke marrë infuzione në oborrin e QMF-së në Shalë.

Aktiviteti i së martës ka të bëjë me vendosjen e një infuzioni në hyrje të komunës.

"Pas skandaleve të fundit në menaxhim të situatës së pandemisë nga ekzekutivi i Komunës, ne si Rini e Partisë Demokratike të Kosovës, dega në Lipjan, kemi realizuar një aksion simbolik për t’ia vendosur Ekzekutivit të Komunës një infuzion ‘nën hijen e drurëve dekorativë’. Ky aksion është zhvilluar pasi që Komuna nuk po i vendos tendat nëpër oborre të Qendrave të Mjekësisë Familjare", thuhet në komunikatën e PDK-së, dega në Lipjan.

Sipas tyre, pacientët po obligohen t’i marrin infuzionet “nën hijen e pemëve”.

"Ne po dyshojmë se kryetari Ahmeti është duke i realizuar pushimet dimërore në kohë të verës sepse nuk është duke i dëgjuar hallet dhe kërkesat e qytetarëve", thuhet në fund të komunikatës së PDK-së.