Arbëri

Nisma akuzon DKA-në se regjistrimi i fëmijëve ka nisur pa u përzgjedhur stafi i çerdhes publike në Prizren

Foto: Koha

Komuna e Prizrenit ka njoftuar se nga dita e mërkurë nis regjistrimi i fëmijëve në çerdhen publike në lagjen “11 Marsi”, pranë shkollës fillore “Lekë Dukagjini”. Në këtë njoftim është theksuar se kjo çerdhe do të ketë edhe staf profesional për ofrimin e shërbimeve përkatëse. Mirëpo, lidhur me këtë çështje ka reaguar partia opozitare Nisma Socialdemokrate, duke shprehur qëndrimin se Drejtoria Komunale e Arsimit ka filluar regjistrimin e fëmijëve në çerdhen publike të porsandërtuar pa e përzgjedhur stafin. Ndërkaq, DKA-ja gjatë ditës ka publikuar konkursin për vendet e lira të punës në institucionin publik parashkollor në lagjen “11 Marsi”.

Fillimisht, Komuna e Prizrenit përmes komunikatës ka bërë të ditur se në këtë çerdhe publike do të mund të regjistrohen 160 fëmijë të moshës 3 deri në 6 vjeç, përkatësisht 120 fëmijë në gjuhën shqipe, 20 në gjuhën boshnjake dhe 20 në gjuhën turke, raporton KOHA.

“Kopshti do të ketë staf profesional, të përgatitur për ofrimin e gjitha shërbimeve edukative, kognitive (njohëse), emocionale dhe shëndetësore (edukatoret e kualifikuara, pedagogun, psikologun dhe mjekun). Raporti edukatore-fëmijë është 2:22. Qëndrimi i fëmijëve në kopsht është tërëditor”, thuhet në komunikatën e Komunës, ku sqarohet se regjistrimi i fëmijëve bëhet çdo ditë pune nga ora 10:00 deri në orën 15:00 në objektin e çerdhes në lagjen “11 Marsi”, deri më datën 20 gusht 2020.

Informacionet për kushtet për regjistrim si dhe për dokumentacionet e nevojshme janë publikuar nga Drejtoria e Arsimit, ku sqarohet se çmimi për një fëmijë është 80 euro në muaj, për dy fëmijë është 120 euro dhe për tre fëmijë është 150 euro.