Arbëri

Reshjet e mbrëmshme u shkaktuan dëme të mëdha bujqve të Podujevës

Pavarësisht vështirësive që kanë me rrugën, fermerët e fshatit Sveqël në Komunën e Podujevës u përballën edhe me një fatkeqësi tjetër.

Pasditen e së premtes, reshje të mëdha breshri u shkaktuan dëme të mëdha në bujqësi, raporton KOHA.

Visar Vokrri, fermer nga Sveqla, rrëfen se kanë pësuar dëme të mëdha. Thotë se burim kryesor i të ardhurave në familje janë pikërisht këto të mbjella.

Vokrri nuk është optimist se do të ndihmohet nga institucionet në riparimin e dëmeve.

E njësoj pësoi edhe Egzon Vokrri, i cili kishte bërë 15 mijë euro investim në të mbjella.

Breshri përfshiu edhe disa fshatra të tjera, si Sibovcin dhe Penuhin.

Naser Feta nga fshati Penuh tregon se iu dëmtua i gjithë misri i mbjellë.

Drejtori i Bujqësisë në Komunën e Podujevës, Vezir Januzi, thotë se nga e hëna do të identifikohet saktë se sa dëme iu ka shkaktuar breshri këtyre banorëve. Ai ka thënë se do të kërkojnë ndihmë nga Qeveria për t’ua lehtësuar humbjet bujqve të prekur.

Bujqit tregojnë se këtë vit ata kanë pësuar shumë edhe nga pandemia COVID-19.

Thonë se mbyllja në sektorin e gastronomisë ka bërë që prodhimet e tyre të mbesin pa u shitur.