Arbëri

Beteja për 300 hektarët e ish-kombinateve bujqësore

Foto: Koha

Bëhen gati shtatë vjet që Komuna e Pejës dhe Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) janë futur në betejë ligjore për tokat e ish-kombinateve dhe kooperativave bujqësore.

Në mars të vitit 2011 Kuvendi Komunal i Pejës, me një vendim të miratuar i kishte “përvetësuar” afro 300 hektarë. Ky vendim është kontestuar nga AKP-ja, ndërsa Komuna e ka konsideruar vendim të drejtë, me argumentin se ato toka kanë qenë prona të Komunës dhe ato ua ka dhënë kombinateve dhe kooperativave bujqësore kur janë themeluar në periudhën e ish-Jugosllavisë, shkruan KOHA.

“Vendimi i Kuvendit Komunal të Pejës për ato toka ka qenë i ligjshëm, sepse ato toka kanë qenë pronë e Komunës dhe Kuvendi ka vendosur në bazë të dokumenteve të pronësisë për ato toka që kanë qenë në pronësi të komunës para se t’u jepeshin kooperativave dhe kombinateve bujqësore në shfrytëzim”, thotë për KOHËN, Afrim Selimaj, i cili ka qenë drejtor për Shërbime Pronësore – Juridike, kur Kuvendi Komunal ka miratuar kalimin e këtyre tokave në pronësi të Komunës.

Gjithsej në vendim janë përfshirë 211 parcela me sipërfaqe të përgjithshme prej 296 hektarësh, 37 arë e 32 metra katrorë, që gjenden në zona të ndryshme kadastrale në qytet dhe fshatra.