Arbëri

Familje me të infektuar në izolim në Lipjan presin ndihmë nga Komuna

Personat e prekur me koronavirus në Lipjan, e që janë në izolim, po thonë se janë harruar nga institucionet komunale.

Përderisa nuk mund të dalin nga oborret e tyre, familje të tëra kanë pritur të kenë asistencë me pako ushqimore e higjienike, por kjo nuk ka ndodhur, transmeton KOHA.

Isuf Rizani, i infektuar me COVID-19 nga fshati Krojmir i Komunës së Lipjanit, ka thënë se askush nga institucionet komunale nuk u është përgjigjur kërkesave të tij, derisa e gjithë familja janë të izoluar.

Sipas tij, Policia e Kosovës ua ka sjellë vendimin që të izolohen tetë anëtarët e familjes së tij për 14 ditë, pavarësisht që të tjerëve nuk u janë bërë testet nga IKSHPK-ja.

Ai dyshon se u infektua në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Shalë ose në autobus, ndërkohë simptomat e para i janë shfaqur në frymëmarrje dhe në kokë dhembje.

Po ashtu, edhe i infektuari tjetër nga Bregu i Zi, Ismajl Avdullahu, ka thënë se disa herë ka kërkuar nga Komuna që t’i sjellin gjëra ushqimore pasi që e kanë të ndaluar të dalin jashtë oborrit të shtëpisë.

Ndërkohë, rreth kësaj çështjeje, të mërkurën, opozita në Lipjan ka mbajtur një konferencë për media, pas shqetësimeve të ngritura nga të infektuarit.

Por drejtoresha për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në këtë komunë, Merita Bytyqi, në një përgjigje me shkrim, pretendon se Komuna ka ndihmuar si me pako higjienike e gjëra ushqimore, familjet që kanë kërkuar ndihmë.


Sipas saj, deri më 13 korrik në Komunën e Lipjanit janë regjistruar 126 raste pozitive me COVID-19, prej të cilëve 3 kanë vdekur.