Arbëri

Vërshimet shkaktojnë dëme të mëdha në bujqësi dhe ekonomi familjare në Podujevë

Dëme të mëdha u janë shkaktuar banorëve të disa fshatrave të Podujevës nga vërshimet e ditës së martë. Pas të reshurave të mëdha, ujëra nga lumenj kanë dalë nga shtrati dhe kanë hyrë në oborre dhe shtëpi, duke përmbytur shumë kultura bujqësore në disa fshatra të Podujevës. Shefqet Llumnica e Avdyl Hyseni nga fshati Bellopojë i Podujevës nuk kanë mundur t’i bëjnë gati perimet e tyre për treg. Për shkak të këtyre përmbytjeve, ky mund të jetë edhe fundi i parakohshëm i sezonit për këta fermerë. Ata thonë se kulturat bujqësore pothuajse u janë prishur.

Shefqet Llumnica thotë se tash nuk mjafton koha për t’i mbjellë këto kultura edhe njëherë nga fillimi. “Këtu është një hapësirë prej 1 hektari, ku kam mbjellë lakër, lulelakër, majdanoz edhe speca. Sipas të gjitha gjasave, këto thuajse janë prishur, tash për me i mbjellë edhe njëherë këto kultura nuk ka kohë. Dëmet janë diku përafërsisht te 7-8 mijë euro. Po e llogarisim që shiten këto kultura. Shpenzimet janë edhe ato goxha të mëdha, se farat janë të shtrenjta tash me i ble, me sistem (pikë-pikë) e krejt janë afër 2 mijë euro shpenzime”, ka thënë Shefqet Llumnica.

Sipas tij, uji që e ka përmbytur bahçen e tij vjen nga lumi, i cili thotë se e ka shtratin e ngushtë dhe nuk e ka përballuar sasinë e ujit pas reshjeve. “Njëherë e kanë zgjeruar këtë lumë, por nuk u zgjerua mjaftueshëm edhe prapë ka mbetur ngushtë edhe nuk po e përbin. Prej komunës kemi kërkuar ndihmë secilën herë, po asnjëherë nuk është përgjigjur. Janë kanë, e kanë shikuar, me këqyr vijnë gjithë, po përgjigje diçka jo”. Edhe Avdyl Hyseni nga i njëjti fshat thotë se bahçja prej 50 ari e mbjellë me qepë, spinaq, sekulla e borania, i është vërshuar nga uji dhe se nuk beson t’i ketë shpëtuar diçka.

“Dëmi, veç mall të gatshëm që jemi kanë tu e dërgu në treg, është diku 1.200 euro tash që e ka dëmtuar. Shpenzimet normal janë tjera, kanë shkuar deri në 400 euro shpenzime, po na po flasim veç për dëmet tash që i kemi pësuar. Sot nuk mundëm me hy me u ba gati për treg, ta shohim nesër, s’besoj, se ky ujë e ka dëmtuar. Por, të këqyrim në ditët në vijim”, ka thënë ky fermer.

Avdyl Hyseni thotë se sa herë ka të reshura më të mëdha uji del jashtë shtratit të tij, por thotë të mos e mbajë në mend qe 40 vjet që ka pasur aq shumë ujë sikur tash. Ndërkohë, Besart Ahmeti është dashur ta mbyllë dyqanin për shkak se uji ka hyrë brenda në lokal dhe në shtëpi. Ai thotë se ende nuk e dinë vlerën e dëmeve që u është shkaktuar nga përmbytjet.

“Dëme na ka ba, këtu në market të vogël na ka hi edhe mrena, në shtallë të lopëve, në shtëpi ku jemi tu banu u hi uji. Këtu na merr uji, prej kësaj përroske. Shkaktarë ma shumë janë edhe banorët. Komuna që u kanë, Agim Veliu, ka pas me hap lumin komplet, mjetet janë nda, po e kanë pengua do banorë, edhe tash nuk u hap krejt lumi që është. Janë hap diku 1500-1600 metra, tani e kanë pengua. Po tash me kanë mundësia me ardhë me hap”, thotë Besart Ahmeti.