Arbëri

Reshjet shkaktojnë vërshime në disa fshatra të Podujevës

Reshjet e pandërprera të shiut gjatë ditës së martë kanë shkaktuar vërshime në disa fshatra të Komunës së Podujevës. Uji ka depërtuar edhe nëpër oborre të shtëpive, janë përmbytur kulturat bujqësore në disa lokalitete, ndërsa në rrugën Batllavë-Orllan ka pasur edhe shembje dheu.

“Reshjet e pandërprera të shiut kanë shkaktuar vërshime dhe pengesa në qarkullim në disa lokalitete të Komunës së Podujevës. Uji ka vërshuar toka bujqësore dhe rrugë në fshatin Bellopojë, Lupç i Poshtëm, Batllavë, Dumnicë, Penuhë dhe në disa fshatra të tjera.

Përveç̧ daljes nga shtrati kryesisht të përroskave, vërshime janë̈ shkaktuar dhe nga mbyllja e kanaleve të ujërave atmosferike, probleme kanë shkaktuar edhe ujërat sipërfaqësore nga reshjet e shumta”, ka thënë zëdhënësi i Komunës së Podujevës, Nazmi Elezi.

Sipas tij, ekipi i sektorit për Emergjencë i Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim i Komunës së Podujevës me kompaninë e angazhuar është̈ vazhdimisht në teren duke intervenuar në sanimin e gjendjes.

“Dëmet e shkaktuara në infrastrukturë, bujqësi dhe ekonomi familjare do të vlerësohen nga komisioni i Komunës”, ka theksuar Elezi.

Ndërkohë, deri tash nuk është raportuar për vërshime në dy komuna tjera të rajonit të Prishtinës. Zëdhënësi i Komunës së Fushë-Kosovës, Ali Topalli, ka thënë se informacionet e fundit nga shërbimet emergjente janë se nuk ka raste as familje që janë prekur nga vërshimet.

Edhe zyrtari për informim në Komunën e Obiliqit, Adem Haliti, ka thënë se zyrtarët komunalë janë në terren dhe deri tash nuk kanë asnjë ankesë nga qytetarët dhe se deri tash nuk ka vërshime në Obiliq.

Image