Arbëri

PDK-ja kritikon Komunën e Lipjanit për keqmenaxhim të parasë publike

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, dega në Lipjan, njëherësh këshilltar në KK të Lipjanit, Argjend Tasholli, nëpërmjet një konference për media të enjten, ka akuzuar ekzekutivin e Komunës për keqmenaxhim të parasë publike. Sipas Tashollit, Komuna gjatë 2019-s nuk ka arritur t’i shpenzojë një milion euro të dedikuara për projekte kapitale, e në anën tjetër, sipas tij, banorët nëpër fshatra po përballen me mungesë të ujit të pijshëm, mungesë të infrastrukturës rrugore, kanalizim, ujësjellës dhe projekte tjera jetësore.

Tasholli me këtë rast ka thënë se opozita ka identifikuar një varg dështimesh të ekzekutivit. “Gjatë shqyrtimit të raportit të punës së kryetarit dhe drejtorive komunale për vitin 2019, kemi identifikuar keqmenaxhim të dobët të parasë publike, mosrealizim, vonesa apo zvarritje të projekteve kapitale, ngecje në zhvillim ekonomik, jotransparencë dhe shkelje ligjore në qeverisjen lokale”, ka thënë Tasholli.

Sipas tij, ende nuk ka përfunduar projekti i shkollës fillore në fshatin Rubovc, çerdhja e fëmijëve në Lipjan, rruga me katër korsi dhe disa projekte të tjera.

“Gjatë 2019-s Komuna ka suficit, po nuk ka arritur t’i shpenzojë afro një milion euro nga buxheti për projekte kapitale. Ky shpenzim reflekton në dështim të menaxhimit, zvarritje të projekteve dhe rënie të dinamikës së planifikuar”, ka thënë Tasholli.

Ndërkohë Saud Bublica, banor nga fshati Dobrajë e Madhe, ka thënë për KOHËN se vazhdimisht po kërkojnë nga Komuna asfaltimin e disa rrugicave dhe ndërtimin e disa serrave për fermerët, mirëpo kërkesat nuk po shqyrtohen.

“Komuna asfalton rrugë vetëm aty ku i ka votuesit e vet. Po ashtu atyre po i japin edhe serra megjithëse janë të pasur dhe nuk kanë nevojë. Kurse unë që jam aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje dhe të tjerët që janë në PDK nuk përfitojmë asfaltim të rrugicave e as projekte tjera. Edhe ne jemi taksapagues të njëjtë, andaj nuk duhet të bëhen dallime të tilla”, ka thënë Bublica.