Arbëri

Gjilani ia kërkon Qeverisë 11 mijë euro kompensim për punën e shtabit emergjent gjatë pandemisë

Komuna e Gjilanit ka kërkuar nga Ministria e Financave dhe Transfereve që të ketë kompensim për punëtorët që kanë qenë pjesë e shtabit emergjent për menaxhimin e pandemisë.

Për rreth tre muaj, komunat në Kosovë kanë formuar shtabe emergjente si shkak i koronavirusit, raporton KOHA.

Zyrtarët komunalë të Gjilanit të cilët ishin pjesë e tyre thonë se kanë punuar mbi 10 orë çdo ditë.

Nënkryetari i kësaj komune, Arbër Ismajli, ka thënë se në shtabin emergjent në këtë komunë ishin 22 persona dhe bëhet fjalë për mbi 11 mijë euro kompensim.

Mirëpo, Gjilani është e vetmja komunë që ka kërkuar kompensim të tillë.

Zyrtarë të Komunës së Suharekës dhe asaj të Vushtrrisë kanë thënë se nuk e kanë bërë një gjë të tillë, por që do t’i shikojnë mundësitë ligjore.

Megjithatë, ministri i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, ka thënë se përderisa Qeveria ka kërkuar formimin e shtabit emergjent në nivel qendror, një gjë të tillë nuk e ka kërkuar edhe në atë lokal dhe kompensimi në raste të tilla do të ishte shkelje ligjore.

Që nga rastet e para të konfirmuara me koronavirus në Kosovë në mesin e marsit, Ministria e Shëndetësisë ka formuar shtab emergjent për menaxhimin e pandemisë, derisa njëjtë kishin vepruar edhe komunat e vendit.