Arbëri

Edhe Kaçaniku e di çka është frika!

Foto: Koha

Pranë tavolinave nuk ka kush të ulet. Njëra është hedhur përmbys mbi tjetrën. Shtresa e pluhurit i është trashur sipërfaqes së të tretës ngjitur.

Dritat e rrugës reflektojnë mbi shkronjat e gjelbra “Çajtore” dhe ato kuqezi “Ura e konakut” në hyrje të çarshisë së vjetër në Kaçanik. Duhet t’i vendosni duart rreth syve për të parë tej xhamave brenda. Janë bërë disa javë që nuk janë ndezur dritat, shkruan KOHA.

“Auf, qe pesë muaj ditë jemi kanë t’u e prit këtë Ramazan”, thotë Ilazi, nja njëzet metra më larg, derisa bën muhabet me të vëllanë. Dytë, ulur në karrige pranë afër një çajtoreje tjetër. Edhe ajo e mbyllur. “Nuk janë t’u na lanë me dalë sivjet. Flaka na dulë”.

Fjalët ia aprovon vëllai. “Ti, a e di çfarë atmosfere bahet në Kaçanik mas iftari”, thotë ai, duke ngritur zërin për ta nxitur më shumë kureshtjen.

“Sa me hjek zhigun”

Muhabetin e tyre e këput një patrullë policie e trafikut teksa përshkon rrugën e kalldrëmtë. “Rune distancën”, iu drejtohet urdhërueshëm polici në timon dy vëllezërve në karrige. “E ju dy pse jeni ul aq ngat a ngat”, ia kthen Ilazi, teksa çohet në këmbë dhe përkul kokën kah xhami i ulur i makinës së policisë. Polici shofer zgjat dorën urdhërueshëm: “Mos u afro!”. Patrulla largohet vetëm pasi polici tjetër del për t’ia shpjeguar vëllezërve kaçanikas rëndësinë e respektimit të rregullave. Aty ku këputet rruga e vjetër zgjatet e reja. Asfalti avullon pas shiut.

“Po, a e di bre çka bahet këtu? Deri në gjashtë të sabahit, i madh e i vogël dalin”, thotë Ilazi.

Mbrëmjen e së martës para e pas taravive, më shumë ka pasur policë sesa qytetarë në qendër të qytetit të Kaçanikut. Pos patrullave të trafikut, në dy pika përgjatë shëtitores ndanë Lumit Nerodime, makinat janë legjitimuar edhe nga njësiti special. Të paktë kanë qenë qytetarët që u ka rastisur 90-minutëshi i lirisë së lëvizjes pas darkës për t’i rrahur shtigjet e shëtitores. Qetësinë e prish vetëm zhurma e ndonjë makine të rrallë dhe gurgullima e vazhdueshme e Nerodimes. Çarshia e vjetër dhe shëtitorja do të vlonin po të mos ishte frika e përhapjes së virusit me kurorë. Disa kaçanikas, megjithatë, dolën në natën e parë në shëtitore.

“Kanë dalë natën e parë sa me hjek atë zhigun, por në përgjithësi masat po respektohen shumë”, thekson Harun Elezi, familja e të cilit ka çajtoren “Ura e konakut”. “Por ka pasur pak krahasuar me vjet”.

Traditë sa vetë jeta e qytetit

Kaçaniku deri javën e kaluar nuk kishte regjistruar asnjë të prekur nga koronavirusi. Tani numëron shtatë sosh. Kjo ka ndikuar që edhe ata që kanë orarin e lëvizjes në orët e mbrëmjes të mos shëtitin përgjatë lumit që ndan në dysh qytetin në hyrje të grykës. Edhe Kaçaniku e di çka është frika! Rrethanat e jashtëzakonshme kanë shtrënguar kaçanikasit që të flasin me nostalgji për korzonë e viteve të kaluara, kur vlonin çajtoret e kafenetë deri në syfyr. Madje, hapeshin edhe dyqanet e veprimtarive të ndryshme biznesore. Ata që nuk kishin punë, vendosnin disa karrige e tavolina para vitrinave dhe shtronin muhabetin me miq derisa hanin fara. Të zeza e të bardha.

Sami Stagova, aktivist kaçanikas, thotë se shëtitjet ndanë lumit kanë fillesë të hershme. Ai mendon se kjo shprehi ka ardhur si rezultat i zhvillimit të një komuniteti urban, sidomos rinisë, e cila kishte mundësi të kufizuara gjatë ditëve të Ramazanit. Ai thotë se muaji i agjërimit ishte mundësi që të rinjtë të përjetonin atmosferën e çarshisë së dikurshme dhe lojërat tradicionale.

“Ky zakon me gjasë duhet të ketë filluar që nga themelimi qytetit si zonë urbane në fundshekullin gjashtëmbëdhjetë – fillimshekullin shtatëmbëdhjetë. Deri vonë, njerëzit e moshuar e mbanin mend këtë shprehi të të rinjve kaçanikas edhe gjashtë shekullit 19, por askush nuk ka mundur të tregojë se kur kishte filluar një gjë e tillë”, thotë Stagova. “Ky zakon vazhdon edhe sot e kësaj dite, por tashmë fluksi i të rinjve ka zgjedhur shëtitoren e rregulluar përgjatë lumit për shëtitje dhe argëtim. Aty ka vend të mjaftueshëm për shëtitjet poshtë dhe lart, dhe lokale të shumta për ta kaluar kohën me pije dhe lojëra të ndryshme deri vonë”.

Tradita bashkon pleq e të rinj

Ajo atmosferë po i mungon sivjet edhe Nuredin Shehut. “Për Ramazan u bajke mirë. Këtu ka pasur lojëra. Kanë luajtur letra, shah, domino. Kemi luajtur nëpër mahalla. Në qytet kanë dalë rinia janë shëtit”, kujton Shehu në hyrje të çarshisë së vjetër. Dy duart i ka të zëna me qese najloni me artikuj të domosdoshëm për familjen. Kasapi dhe marketet janë dyqanet e vetme të hapura përreth. “Edhe dyqanet kanë nejtë deri në dhjetë e dymbëdhjetë çelë. A kafet e çajtoret kanë nejtë deri në syfyr”, thekson Shehu, para çajtores së Elezit.

Elezi, pjesë e administratës së KEDS-it, përmbledh kronologjikisht traditën e jetës së natës në Ramazan. “Rinia ka preferuar njëherë të dalë në pjesën e qytetit kah kafenetë dhe korzoja. Pleqtë kanë dalë menjëherë pas iftarit në çajtore me pi naj çaj dhe pastaj kanë shku me i fal taravitë dhe janë kthyer kanë vazhduar me lojëra, si shah, letra e domino derisa në minutat e fundit para syfyrit”, tregon ai. “Kanë shku n’shtëpi sa m’i zanë minutat e fundit me kry syfyrin. Rinia është kthyer në pjesën e çarshisë së vjetër kah ora dymbëdhjetë me lu letra, domino e shah për m’i ru traditat”.

“Shyhret u kanë”, thotë Ilazi. “Ardhshin prej Ferizajit, Vitisë, Shkupit e qyteteve të tjera për Ramazan”.

Mundësi reflektimi

Fitore Bilalli, studente kaçanikase, thotë se është me rëndësi që të respektohen përpiktas vendimet e Ministrisë së Shëndetësisë për të mos lejuar përhapjen e virusit. Ajo thotë se rinia duhet ta shfrytëzojë pandeminë për të qëndruar sa më afër familjes dhe që të lexojë libra e të shikojë filma. Madje, mendon se secili individ “duke stopuar jetën kaotike”, mund të reflektojë më shumë në raport me veten dhe të përqendrohet në të mirat e jetës.

“Duke folur për qytetin tim, Kaçanikun, dhe duke marrë parasysh që jemi në muajin Ramazan, vërehet edhe zbehja e atmosferës”, thekson Bilalli. “Kaçaniku njihet si qytet me shumë atmosferë gjatë muajit të Ramazanit, gjatë ditës me qetësi absolute, por pas darkës me shumë njerëz dhe jo vetëm nga Kaçaniku, por edhe nga qytetet e tjera”.

Bilalli nuk e ka çuar ndërmend se si do të ishte jeta e natës në qytet po të mos ishte virusi me kurorë. Rioshja ngulmon përsëri se parësor duhet të jetë shëndeti dhe se të tjerat “vijnë ngadalë pasi të normalizohemi. Shpresoj që ky armik i padukshëm të zhduket dhe shpresoj që sa më shpejt ta fillojmë jetën normale”.

Aktivisti Stagova thotë se ana sociale është pjesa më e rëndësishme e netëve të Ramazanit për vendasit dhe mysafirët e Kaçanikut. “Tashmë fjala ka marrë dhen se ‘bëhet shumë atmosferë e mirë pas iftarit në Kaçanik’. Me të vërtetë është interesante kur të përjetohet fluksi aq i madh i të rinjve në një qytet të vogël. Të gjithë aty, duke përfshirë edhe mysafirët, e ndiejnë vetën jo të huaj dhe shoqërimi e bën të veten”, thekson ai, duke shtuar se shëtitjet e Ramazanit u japin shpirt shoqërive të reja. Vlera u shtohet këtyre netëve kur Ramazani bie në muajt e verës e të pranverës. “Pra, çdonjëri nga ne, kaçanikas apo i huaj që ka përjetuar këtë gjë në Kaçanik, e ka ndonjë mënyrë për ta shprehur këtë përvojë. Ne besojmë se është gjithmonë pozitive, por me ngjyrat e përjetimit të secilit”, thotë ai.

Shëtitorja, mbulim për ilegalen e viteve nëntëdhjetë

Elezi, ndërkaq, kujton bisedat që ka dëgjuar ndërmjet bartësve të organizimeve paqësore e të armatosura të viteve nëntëdhjetë në Kaçanik. “E kanë pas shfrytëzu kohën e korzosë çka ka qenë politikisht për Kosovën, e kanë shfrytëzu, sidomos për armatim për shkak se e kanë ditur se korzoja është e ngarkuar dhe ka shumë njerëz”, thotë Elezi.

“Natyrisht se këtë vit, duke marrë parasysh masat shëndetësore të aplikuara në Kosovë, pasdarket e këtij Ramazani ishin shumë më të zbehta dhe është hera e parë që ndokush ta mbajë mend një gjë të tillë për shumë kohë. Edhe gjatë viteve të ’90-ta daljet nuk ishin kufizuar”, thotë Stagova, duke shtuar se megjithatë është më se e sigurt se zakoni tashmë disa-shekullor do të vazhdojë gjatë viteve të tjera dhe se mysafirët si gjithnjë do të jenë të mirëseardhur në Kaçanik.

Ai mendon se shëtitjet janë të rrënjosura thellë në mesin e kaçanikasve. “Me të drejtë thuhet se kjo tashmë është shndërruar në kulturë, që reflekton pozitivitet në Kaçanik duke e bërë atë të dëshirueshëm, atraktiv për t’u vizituar dhe kaluar kohën, dhe duke e treguar identitetin e vërtetë të tij tradicional: vend mikpritës, njerëz të ndershëm, punëtorë dhe të shoqërueshëm si dhe trashëgimi kulturore/natyrore fantastike”, thekson Stagova.

Dy burra në të pesëdhjetat u bien poshtë e lart disa herë shtigjeve përgjatë lumit. Thonë se e kanë kohën e qarkullimit. Janë prej atyre që mendojnë se virusi është konspiracion. Nuk lodhen fare për distancën fizike, derisa kthehen dhjetëra vjet në kohë kur luanin lojëra të ndryshme pas iftarit nëpër rrugë e shëtitore. Tani po u mungojnë kafenetë e çajtoret. Pronarët e bizneseve të mbyllura thonë se janë dëmtuar rëndë ekonomikisht.

Elezi shpreson të kalojë sa më shpejt kriza shëndetësore. Atëherë, vëllai dhe babai i tij do t’ua heqin pluhurin tavolinave e pranë tyre do t’i nxjerrin përjashta edhe karriget. Brenda, të rinj e pleq do të luajnë letra, shah e domino. Jashtë, do të avullohen çajet e do të ketë kush të ulet për t’ia krisë muhabetit.