Arbëri

Komuna e Ferizajt ia fali OVL të UÇK-së mbi 200 mijë euro – ky veprim po konsiderohet i padrejtë

208 mijë e 560 euro është shuma që komuna e Ferizajt ia ka falur organizatave të dala nga lufta. Sipas një marrëveshjeje të vitit 2008, dyja palët ishin marrë vesh për menaxhimin e parkingjeve publike në qytet.

Falja po konsiderohet e padrejtë, pasi komuna, sipas Organizatës Joqeveritare që monitoron aktivitetin komunal, INPO, nuk ka të drejtë t’i falë borxhet publike, raporton KTV.

Sipas Albulena Nrecajt, komuna asnjëherë nuk e ka bërë publike këtë kontratë, e po ashtu nuk e ka bërë publike as ecurinë e marrëveshjes me OVL-të, dhe i gjithë ky akumulim borxhi, por edhe falja e tij, është e padrejtë.

Por, drejtoresha e Financave në komunën e Ferizajt thotë se, edhe pse kanë kërkuar disa herë që borxhi ndaj komunës të shlyhet, kjo nuk kishte ndodhur.

Ajo ka theksuar se, meqë komuna nuk po përfitonte asgjë, është vendosur të shkëputet kontrata, e meqë borxhi nuk po shlyhej, atëherë ai është falur.

Unanimisht, në mbledhjen e parë të Kuvendit të Komunës së Ferizajt, është votuar që ky borxh të falet pas kërkesës së bërë nga Drejtoria e Financave.

Por, sipas kryesuesit të Kuvendit, Faruk Guri, ndonëse vendimi është marrë, Ministria e Financave do të jetë ajo nëse do të lejojë që ky borxh të falet ose jo.

Ministria e Pushtetit Lokal ka thënë se vendimin e komunës e ka dërguar për shqyrtim në Ministrinë e Financave e cila ka vlerësuar se komunat nuk kanë të drejtë ligjore të falin borxhet publike.

Ndërkaq, Rafiz Sejdiu nga OVL-ja në Ferizaj, nuk ka dashur të komentojë para kamerës.

Ai nuk i është përgjigjur pyetjes së KTV-së se ku kanë përfunduar 200 mijë eurot e qytetarëve, por vetëm ka thënë se e kanë mirëpritur këtë falje të borxhit.

Komuna e Ferizajt tashmë ka lidhur kontratë të re me një kompani për menaxhimin e parkingjeve publike.