Arbëri

MPBAP: Dëmtimi e djegia e xhamisë në Vërboc të Drenasit, akt vandal

Foto: KOHA

Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike e ka dënuar dëmtimin e xhamisë në fshatin Vërboc të Drenasit.

Përmes një njoftimit për media, MPBAP e ka quajtur akt kriminal që synon të provokojë ndjeshmërinë e besimtarëve.

“Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike e dënon fuqishëm aktin vandal të dëmtimit dhe djegies së xhamisë në fshatin Vërboc të Drenasit. Ky akt padyshim kriminal synon të provokojë ndjeshmërinë e besimtarëve, e kjo është e dënueshme në çdo moment, jo vetëm në kohë delikate si kriza shëndetësore që po kalojmë”, thuhet në njoftim.

Sipas tyre, dëmtimin e objekteve të kultit fetar, të cilitdo besimi, MPBAP-ja, e vlerëson gjithnjë si veprime dashakeqe, të cilat dëmtojnë rëndë tolerancën fetare dhe bashkëjetesën në vend.

“Me këtë rast, u.d. ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla ka kërkuar angazhim maksimal deri në gjetjen e personave përgjegjës që e kanë kryer këtë vepër, të cilët duhet të dalin para drejtësisë dhe në këtë mënyrë të bëhet zbardhja sa më e shpejtë e këtij rasti”, thuhet tutje në njoftim.

Njoftohet gjithashtu se Sveçla “ka falënderuar banorët e fshatit që janë treguar të përgjegjshëm dhe nuk kanë rënë pre e provokimeve që mund të jenë orkestruar prej qarqeve që kanë interesa në destabilizim e dobësim të shtetësisë së Kosovës”.