Arbëri

Radhë të gjata në Prizren, qytetarët regjistrohen si të papunë për të përfituar nga pakoja emergjente

Një ditë para hyrjes në fuqi të masave rigoroze për kufizim të lëvizjes, me qëllim të pamundësimit të përhapjes së mëtejme të pandemisë COVID-19, në Zyrën e Punësimit në Prizren, janë paraqitur numër i konsiderueshëm i qytetarëve.

Ata kanë aplikuar fizikisht për t’u regjistruar si të papunë, por pa i përfillur masat kundër përhapjes së koronavirusit, raporton KOHA.

Drejtori i Qendrës për Punësim në Prizren, Hajrullah Hoxha, ka pohuar shpërndarjen dhe pranimin e aplikacioneve nga qytetarët që synojnë të përfitojnë si të papunë nga pakoja fiskale emergjente e Qeverisë së Kosovës.


“Në bazë të vendimit të Qeverisë së Kosovës, kjo është pakoja fiskale emergjente ku përfitojnë të papunët dhe ata që nuk e kanë asnjë anëtar të familjes të punësuar. Vetëm për këtë kategori ne si Zyrë e Punësimit i shpërndajmë aplikacionet dhe ata aplikojnë. Munden edhe online me apliku, përmes adresës zyrtare të Qeverisë së Kosovës gjegjësisht të MPMS-së”, ka thënë Hoxha.

Ai ka pranuar se ka pasur probleme sa i përket mbajtjes së distancës sociale.

po mundohemi me mbajtë rend dhe distancën sociale, por është e pamundur. Është një fluks i madh i të papunëve që vijnë me apliku. Kemi lajmëruar Policinë e Kosovës, ata po e mbajnë rendin, megjithatë po ka probleme të mëdha”, ka shtuar ai.

Ndërkaq komandanti i Stacionit Policor në Prizren, Qamil Kroni, ka thënë se pas njoftimit për këto tollovi policia ka dalë në terren.

"Ne i kemi shpërndarë patrullat, por ne i kemi edhe 10 pika statike, që e rrethojnë Komunën e Prizrenit, pasi që dihet se jemi në karantinë", u shpreh Kroni.

Kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka, ka njoftuar se qytetarët mund të aplikojnë edhe ditëve në vijim.

“Vetëm se e kanë orarin e caktuar. Edhe nuk do të krijohen tollovi të tilla, por do të dalin vetëm në orarin e përcaktuar me numrin e parafundit personal”, ka thënë Haskuka.

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale të martën ka njoftuar se aplikimi në formë fizike nuk do të jetë i mundur më, shkaku i masave të fundit për parandalimin e COVID-19, pasi që rrezikohet shëndeti për të gjitha palët.

Kjo ministri ka kërkuar nga qytetarët që regjistrimin ta bëjnë online ose përmes e-mailit.