Arbëri

Shërohet një e infektuar nga koronavirusi në Podujevë, Dumnica e Llausha dalin nga karantina

Foto: Alban Bujari/ Koha Ditore

Nënkryetari i komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari ka bërë të ditur se pacienti i dytë nga kjo komunë i infektuar me COVID-19 është shëruar plotësisht, ndërsa po ashtu njoftoi se nga karantina kanë dalë fshati Dumnicë dhe Llaushë.

“Kam kënaqësinë të ndaj me ju lajmin e mirë se sot nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike u informuam për shërimin e plotë të pacientit të dytë të infektuar me COVID-19 nga Komuna e Podujevës, kurse familja ku kishim personat e infektuar do të vazhdojë të qëndrojë në vetizolim”, ka shkruar ai në Facebook.

Koha dje ka raportuar se pacientja nga fshati Bradash i Podujevës e cila kishte rezultuar pozitiv me koronavirus më 18 mars (e që ishte rasti i tretë në këtë komunë), pas kthimit në shtëpi (më 27 mars) është testuar tri herë. Ndërkohë që dje, i janë marrë mostrat për të katërtën herë për të parë nëse është shëruar plotësisht. Ajo sot është shëruar.

Lajmin për KOHË-n e ka konfirmuar edhe epidemiologia e Qendrës Kryesore e Mjekësisë Familjare në Podujevë, Bedrie Rama.

Ajo ka thënë se dy testimet e fundit më 7 e 8 prill kanë rezultuar negativ për këtë paciente dhe e njëjta shpallet e shëruar. Rama ka thënë se 54-vjeçarja do të qëndrojë të paktën deri të hënën në shtëpinë e prindërve të saj në fshatin Dumnicë e Epërme e Podujevës.

Ndërkohë Rudari u ka bërë thirrje banorëve të këtyre fshatrave dhe të gjithë komunës së Podujevës që t’u përmbahen rekomandimeve të IKSHP-së dhe institucioneve të tjera, që sa më lehtë dhe pa pasoja për shëndetin ta përballohet kjo sfidë, raporton Koha.

"Lajmi tjetër i mirë është se nga ky moment është hequr masa e karantinës për fashatrat Dumnicë dhe Llaushë", ka shtuar Rudari. 

Ndryshe, këto dy fshatra kanë qenë në karantinë që nga 15 marsi, kur është konfirmuar personi i dytë me koronavirus.