Arbëri

Banorët e Malishevës së karantinuar zgjedhin Rahovecin për shërbime mjekësore – Begaj nuk pranon të flasë për KTV-në

Komuna e Malishevës, që vazhdon të jetë në karantinë, ka të prekur 39 persona me COVID-19, por banorët po zgjedhin që të kontrollohen në qytetin fqinj të Rahovecit.

Në këtë komunë nuk ka për momentin asnjë rast pozitiv, raporton KOHA.

Komuna e Malishevës është vendi me më së shumti të prekur me koronavirus në Kosovë dhe për këtë, zyrtarë komunalë të Rahovecit, thonë se kanë ndërmarrë veprime shtesë.

Sipas Smajl Latifit, kryetar i Komunës, janë identifikuar të gjithë personat që janë kthyer nga vendet perëndimore dhe personat të cilët janë me sëmundje kronike dhe s’e kanë situatën nën kontroll.

Pavarësisht rekomandimeve të autoriteteve shëndetësore që qytetarët të qëndrojnë në shtëpitë e tyre, gjatë së enjtes në Rahovec, janë parë lëvizje të shpeshta të njerëzve dhe veturave.

Në anën tjetër, në Komunën e Malishevës, e infektuar me Covid - 19 është edhe një mjeke, e cila ka punuar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare.

Ekipi i televizionit ka provuar që të marrë një përgjigje nga zyrtarë të Komunës lidhur me gjendjen me koronavirus, mirëpo zyrtarë të saj kanë thënë se kryetari i Malishevës, ua ka ndalur që dikush nga Komuna të prononcohet për KOHËN, shkaku i disa storjeve të publikuara më parë.

KOHA ka raportuar një ditë më parë se Ragip Begaj bashkë me dy ish-zyrtarë të Qeverisë së Ramush Haradinajt janë intervistuar nga Prokuroria Speciale lidhur me hetimet për zonën Ekonomike të Malishevës.