Arbëri

Fushë-Kosova s’e pranon që 3 persona nga kjo komunë janë me koronavirus, e quan lajm me “konotacione politike”

Foto: Komuna e Fushë-Kosovës

Në orët e mbrëmjes, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik njoftoi për 13 raste të reja të konfirmuara me koronavirus gjatë ditës së sotme. Ndër to, tha se 3 janë nga Fushë-Kosova. 

E Komuna e Fushë-Kosovës, përmes një reagimi të postuar në faqen e saj zyrtare në Facebook, ka thënë se lajmi i dhënë nga IKSHPK-ja për persont e prekur me COVID-19 nga kjo komunë, është i pakonfirmuar.

Komuna thotë se për këto raste nuk është informuar askush nga zyrtarët komunalë, as nga Shtabi i Emergjencës er as nga QKMF-ja.

“Ky është informacion i pakonfirmuar, i dyshimtë dhe i mangët. Është i panjoftuar Kryetari i Komunës z. Burim Berisha, njëherësh Kryetar i Shtabit të Emergjencës, i panjoftuar Drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë dhe i panjoftuar Drejtori i QKMF-së në Fushë-Kosovë dhe si rrjedhojë e gjithë kësaj u shkaktua një shqetësim tek qytetarët”, thotë Komuna e Fushë-Kosovës.

Madje, Komuna thotë se ky informacion i plasuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik “ka konotacione politike”.

“Ne informojmë qytetarët e Komunës së Fushë-Kosovës të mos shqetësohen, sepse ka mungesë informatash se kush janë, nga janë këto raste, si ka rrjedhë marrja e këtij virusi prandaj ky publikim është i padenjë dhe nënçmues për qytetarët e Komunës së Fushë-Kosovës. Ka konotacione politike”, theksohet në njoftim.

Në fund, Komuna kërkon nga qytetarët që t’i respektojnë masat, mirëpo të mos shqetësohen “për informacionet banale dhe të pakonfirmuara”.