Arbëri

Gratë në Qendrën Korrektuese në Lipjan fillojnë prodhimin e maskave

Shërbimi Korrektues i Kosovës ka njoftuar se të burgosurat në Qendrën Korrektuese të Femrave në Lipjan kanë filluar prodhimin e maskave kirurgjikale.

Kjo sipas njoftimit po bëhet në kuadër të implementimit të Planit Operativ “Corona Virus”, me qëllim të mbrojtjes së të burgosurve dhe punonjësve të Shërbimit Korrektues.

“Për prodhimin e maskave kirurgjikale, me rekomandim të mjekëve profesional po përdoret material në të cilin nuk depërtojnë mikroorganizmat, pas kalkulimit të kostos së prodhuar, këto maska kushtojnë vetëm 0.10 cent për copë. Shërbimi Korrektues i Kosovës përmes këtij prodhimi, synon në uljen e shpenzimeve ekonomike në maska kirurgjikale dhe në rritjen e nivelit të parandalimit nga Pandemia “Covid -19” nëpër të gjitha institucionet korrektuese”, thuhet në njoftim.

​Maskat e prodhuara nga të burgosurat e QKLF-së, fillimisht do të përdoren për nevojat e të gjitha institucioneve korrektuese dhe atyre të paraburgimit, e nëse është e nevojshme edhe për institucionet tjera shtetërore.