Arbëri

KDTP-ja angazhohet për jetësimin e mësimit në distancë edhe në gjuhën turke

Partia Demokratike Turke e Kosovës (KDTP) ka bërë të ditur se për shkak të situatës së krijuar me pandeminë COVID-19 është angazhuar për jetësimin e mësimit në distancë për nxënësit, të cilët ndjekin shkollimin në gjuhën turke.

Kjo parti ka theksuar se prej ditës së hënë fillon incizimi i orëve mësimore të gjuhës turke dhe të matematikës për klasat 1-5 dhe 6-9, dhe se ato do të vihen në shërbim të nxënësve të komunitetit turk në afatin sa më të shkurtër kohor, raporton KOHA.

KDTP-ja përmes komunikatës ka përkujtuar se në Kosovë janë ndërmarrë masa kundër përhapjes së koronavirusit, ku njëra prej tyre ka qenë edhe pezullimi i procesit mësimor që prej datës 12 mars 2020.

“Në këtë kontekst janë iniciuar edhe përpjekjet për sigurimin e mësimit në distancë për nxënësit që shkollohen në gjuhën turke, në mënyrë që ata të jenë aktivë dhe afër procesit mësimor”, ka njoftuar Partia e komunitetit turk.

është theksuar se me nismën e kryetarit të KDTP-së, Fikrim Damka, hapat e duhur lidhur me organizimin e mësimit në distancë i ka ndërmarrë zv.ministri i Arsimit, Enis Kervan. Sipas njoftimit, Kervan ka pohuar se Ministria e Arsimit ka kërkuar aprovim dhe bashkëpunim nga Ambasada e Turqisë në Kosovë, në mënyrë që mësimdhënësit e komunitetit turk të kenë mundësinë që të përdorin burimet në platformën digjitale të edukimit EBA (të Ministrisë së Arsimit në Turqi), të cilat janë në përputhje me planprogramin mësimor të Kosovës.

Lidhur me këtë çështje është mbajtur edhe një takim në selinë e KDTP-së, ku krahas zyrtarëve partiakë e institucionalë kanë marrë pjesë edhe përfaqësues nga shoqata e mësimdhënësve turq të Kosovës, të cilët bashkërisht kanë shqyrtuar mundësitë për organizimin e mësimit në distancë, pastaj të shfrytëzimit të platformës digjitale, xhirimin e videove të shkurtra për orët e gjuhës turke dhe matematikës nga mësimdhënësit vullnetarë dhe emetimin e tyre në transmetuesin publik.