Arbëri

Komunitetet rom, ashkali e egjiptian në Fushë-Kosovë, pa masa mbrojtëse ndaj koronavirusit

Vetëm 6 kilometra larg kryeqytetit të Kosovës, gjenden dy lagje të cilat janë të banuara kryesisht nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian.

Ndonëse ndër rekomandimet e autoriteteve shëndetësore janë edhe qëndrimi brenda shtëpive e mbajtja e distancës, në këtë lagje të Fushë-Kosovës asnjë nga masat e kërkuara nga Qeveria nuk po përfillen, raporton KOHA.

Banorët tregojnë se janë të informuar për rrezikun nga pandemia COVID – 19, por shtojnë se shkaku i kushteve financiare janë të detyruar të vazhdojnë edhe të punojnë.

Ata ankohen se as pushteti lokal e as ai qendror nuk janë kujdesur për ta në këtë kohë.

Derisa shumica e qytetarëve në Kosovë javëve të fundit kanë vërshuar dyqanet me produkte ushqimore e farmacitë për të siguruar rezerva, banorët e komuniteteve thonë se nuk kanë mjete financiare për të siguruar rezerva.

E përfaqësuesi i kësaj lagjeje, Bashkim Krasniqi, thotë se këtë të martë është takuar me kryetarin e Komunës së Fushë-Kosovës dhe se ka marrë premtime se do t’u ndihmojnë.

Kryetari i Komunës së Fushë-Kosovës, Burim Berisha, ka thënë se janë duke u marrë edhe me çështjen e komuniteteve që jetojnë këtu.

Sipas zyrtarëve komunalë në Fushë-Kosovë, janë rreth 4 mijë banorë të komuniteteve rom, ashkali e egjiptian që jetojnë në këtë komunë.