Arbëri

Mbi 200 familje në Deçan kanë nevojë për ushqim

Për shkak të situatës së krijuar nga pandemia e koronavirusit, sikurse edhe në pjesët tjera të vendit, edhe në komunën e Deçanit qytetarë kanë blerë më shumë se zakonisht për të pasur rezerva ushqimore për një periudhë pak më të gjatë.

Mirëpo, jo të gjitha familjet në këtë komunë kanë arritur të sigurojnë pak ushqim më tepër, të cilat tash kanë drejtuar kërkesa Komunës së Deçanit për t’i ndihmuar, raporton KOHA.

Janë kryesisht familjet që jetojnë nga ndihma sociale.

Shefi i shtabit emergjent të Komunës së Deçanit, Izet Zenuni, tregoi se në listën e skemës sociale në këtë komunë janë 305 familje skamnore, prej të cilave pjesë e madhe kanë nevojë të ndihmohen.

“Ka kërkesa nga familjet në nevojë që nuk kanë arritur të sigurojnë rezerva ushqimore për një afat më të gjatë, sepse nuk kanë pas mundësi. Me siguri janë mbi 200 familje që kanë nevojë për ndihmë me artikuj ushqimor e higjienik”, tha Zenuni për Kohën, me shpresën që kompanitë dhe njerëzit e vullnetit të mirë tu dalin në ndihmë këtyre familjeve në këtë situatë emergjente të krijuar nga koronavirusi.