Arbëri

Bulliqi: LDK-ja e ka fituar Podujevën shpesh në bashkëpunim me PDK-në

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka thënë se ka shumë arsye pse qytetarët e këtij qyteti duhet ta votojnë atë.

“E para, ngritja profesionale imja. Kam ngritje profesionale që jep shpresë e optimizëm dhe do më jep mundësi të punoj shumë si kryetar i ardhshëm. Pastaj, përvoja në dy mandate si deputet. Dhe çështja tjetër është njohja mirë e komunës sonë, dhe pothuajse çdo cepi anë e kënd Llapit”, u shpreh ai në “Express Intervistën” në KTV.

Bulliqi thotë se pushteti i deritashëm më shumë ka punuar për vete dhe për grupe të interesit

“Ky ka qenë një pushtet që ndoshta më tepër ka punu për vete dhe për grupe të interesit, sesa që është përkujdes për nevojat e qytetarëve. Mjafton ta shihni se në çfarë gjendje e ka lënë qytetin ish-kryetari. Ish-kryetari, për një interes të ngushtë të vetin, e la mandatin dhe shkoi në një pozitë të re. Janë kryer disa projekte në Llap, por shumica prej tyre ose kanë mbetur gjysmë ose janë kryer me cilësi të dobët që për pasojë është dashur të ripunohen. Vullneti i qytetarëve është që të ndryshojë një gjendje e tillë”, shtoi ai.

Bulliqi thotë se transparenca do të jetë një ndër pikat kyçe të qeverisjes së tij, sepse, sipas tij, në Komunën e Podujevës ka pasur mungesë të transparencës në shumë aspekte - në shpallje të tenderëve, në shëndetësi, në arsim…

“Kjo u dëshmua së fundmi nga USAID-i që komunën tonë e vendosin në vendin e 22-të për jotransparencë. Kemi keqmenaxhim të qeverisjes, dhe qytetarët janë të pakënaqur se si janë shpenzuar mjetet e tyre”, tha kandidati i VV-së për kryetar të Komunës së Podujevës.

Tutje, ai tha se pretendimet se Llapi është bastion i LDK-së është mit.

“Është mit që Llapi është bastion i LDK-së, sepse dallimi me subjektin e dytë është vetëm pak mbi 1000 vota. Është e vërtet që deri sot, ky subjekt nuk i ka humbur zgjedhjet asnjëherë, por këto i ka fituar në shumicën e rasteve në marrëveshje me PDK-në, herë publike e herë të fshehta”, deklaroi Bulliqi.

Ai foli edhe për periudhën sa ka qenë pjesë e LDK-së, duke thënë se mburret për atë kohë, ndërsa shton se atë e kanë larguar disa individë nga LDK-ja.

“Kam qenë pjesë e LDK-së dhe mburrem për atë periudhë. Nuk jam larguar nga LDK-ja, por më kanë larguar individë të caktuar në LDK që e votuar Thaçin për president, që i dhanë tokë Malit të Zi, e të cilët kanë bashkëpunuar shumë me Thaçin e PDK-në. Duke na nënçmuar, na kanë detyruar të largohemi. Mendoj se në LDK ka shumë djem të mirë, por janë të bllokuar nga Isa Mustafa, Agim Veliu, Lutfi Haziri, e disa emra tjerë të përveçëm të cilët LDK-në e shohin vetëm si pikë për t’i realizuar interesat e veta”, theksoi ai.

Tutje, duke folur për programin e tij, tha se ai përfshin shumë fusha, nga Administrata komunale, Arsimi, Shëndetësia, Kultura, Rinia e Sporti. Ai tha se në shumicën prej tyre ka probleme.

Ai thotë se në Komunën e Podujevës janë bërë konkurse të fshehta për të punësuar militantë, por thotë se VV-ja do të bëjë transparencë të plotë.

Sipas tij, edhe Shëndetësia është në gjendje të keqe. Shkollave thotë se u mungojnë kabinetet, e madje edhe bibliotekat e mësimit, dhe për këto thotë se ka mundësi të rregullohen.

Bulliqi tha se kundërkandidati i LDK-së, Nexhmi Rudari, “është djalë i mirë”, por thotë se “nëse qytetarët llapjanë e votojnë atë, do ta lënë Agim Veliun sërish kryetar, por kësaj radhe kryetar nga Prishtina, që është shumë më keq”.

Duke folur për qeverisjen qendrore mes LVV-së e LDK-së, e cila së fundmi është acaruar paksa, Bulliqi tha se kësaj gjendjeje po i kontribuojnë krerët e LDK-së.

“Nuk shoh ashpërsim të gjendjes. Ndoshta këtij ashpërsimi po i prijnë prijësit e LDK-së, sepse duket që kryetarit e nënkryetarit të LDK-së u ka hyrë frika se do ta humbin komunën. Problemi është tek ata që po përdorin lloj-lloj formash që të na linçojnë, shantazhojnë në forma të ndryshme, me portale të rrejshme që drejtohen nga bijtë e tyre, por unë e kam besimin te qytetarët llapjanë se do ta marrim qeverisjen e komunës për një periudhë të gjatë kohore, e jo vetëm për këtë gjysmë-mandati”, u shpreh ai.

Bulliqi tha se kandidati i PDK-së, Naim Fetahu, s’ka gjasa ta çojë atë në balotazh.