Arbëri

Thirrja e Duda Baljes për banorët e Zhupës po habit deputeten tjetër Emilia Rexhepi

Descriptive Text

Përfaqësuesit e fshatrave të Luginës së Lumbardhit (Zhupës), po refuzojnë që sistemet lokale të ujësjellësve të integrohen në atë të Kompanisë Rajonale të Hidrorajonit. Thirrje për ta kundërshtuar hapjen e zyrës së Hidrorajonit dhe faturimin e ujit, ka bërë edhe deputetja nga koalicioni “Vakat”, Duda Balje, veprim ky i pabesueshëm për deputeten Emilia Rexhepi.

Duda Balje iu patë drejtuar banorëve të asaj pjese se janë ata pronarë të sistemeve të ujësjellësve në fshatrat e tyre.

“Ju lus që të mos merrni pjesë në asnjë takim lidhur me këtë çështje, sepse çfarëdo zyre e re e ‘Hidrorajonit’ është futje direkte në arkëtimin e ujit. Ju jeni pronarë të sistemeve të ujësjellësve në fshatrat tuaja dhe një vend pune nuk vlen sa kjo pronësi. Le të jetë ashtu siç ka qenë deri tash, askush nuk ka të drejtë që t’iu imponojë atë që nuk dëshironi”, thuhet në postimin e deputetes Balje.

Në anën tjetër, deputetja Emilia Rexhepi, lidhur me këtë thirrje të deputetes Balje ka thënë së është e pabesueshme si një postim i tillë vjen nga një deputete dhe një person që ka qenë anëtar i bordit në Hidroregjion.

“Thjeshtë është e pabesueshme se si një postim i tillë vjen nga një deputete, para së gjithash një kryetare e Komisionit për bujqësi, planifikim hapësinor dhe ambient, dhe pikërisht nga personi i cili për shumë vite në Hidro-regjion ka qenë anëtar i bordit, dhe nëse në atë kohë ai institucion ka funksionuar mirë, kur i është paguar një shumë e caktuar parash, pse tani ky institucion nuk është i mirë”, tha ajo.

Gjithashtu, ajo tha se kemi deputetë të cilët tjetër gjë punojnë dhe ndryshe deklarohen. Sipas saj, të gjithë duhet të respektojnë ligjin dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës, raporton Kosovapress.

“Keni deputetë të ndryshëm, deklarata të ndryshme në facebook, një gjë punojmë, ndryshe themi, dhe krejt tjetër çka shkruajmë, kështu që duhet të jemi të sinqertë dhe korrektë ndaj institucioneve tona, duhet të respektojmë ligjin e Republikës së Kosovës, Kushtetutën e Republikës së Kosovës, në veçanti ne deputetët dhe disa ministra siç është Rasim Demiri, i cili thekson nevojën tek populli për demonstrata dhe mos të paguaj, ndërsa në të njëjtën kohë është ministër në një Qeveri, kështu që unë nuk e di me çfarë deklarata ata ndikojnë tek popullata, por, ajo që është me rëndësi, boshnjakët nuk janë të izoluar, ata nuk jetojnë në geto, respektojnë institucionet e Republikës së Kosovës, e tash si do ta gjejmë mekanizmin më të mirë të mundshëm që këtë çështje me hidro regjionin ta zgjidhim dhe kur, këtë do ta shohim, sepse megjithatë kërkon kohë, zbatim dhe kërkon përfshirjen e të gjitha institucioneve në transparencë”, tha deputetja Rexhepi.

Deputetja Emilia Rexhpi tha se nga vjen ajo, ana e Zhupës, janë rreth 14 fshatra me banorë të komunitetit boshnjak dhe më shumë se 13 mijë boshnjakë dhe komunitete të tjera, të cilët nuk janë në sistemin e hidroregjionit të Prizrenit. Ajo tha se kanë bërë përpjekje që të bëjmë hidro mekanizmin më të mirë, pasi që nuk e dinë se çfarë uji janë duke pirë qytetarët e asaj ane dhe se ata gjatë verës përballen me vështirësi, pasi që nuk kanë ujë.

“Ajo që është konkretisht e qartë për të gjithë qytetarët e Kosovës, është se kjo zonë e madhe gjeografike dhe të gjitha ato fshatra boshnjake, vetë kanë paguar rrjetin e ujit dhe ujësjellësin”, tha ajo.

Sipas saj, kyçja në sistem kërkon kohë, mekanizma përkatëse, ndihmë nga ana e institucioneve dhe transparencë për qytetarët e asaj pjese.