Arbëri

Gashi takon investitorët e interesuar për zonën industriale në Llazarevë

Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, ka zhvilluar takime me investitorë të cilët kanë parashtruar kërkesën për zhvillimin e bizneseve të tyre në zonën tashmë industriale në Llazarevë të kësaj komune.

Gashi ua ka sqaruar biznesmenëve procedurat ligjore të parapara me Ligjin për dhënien e pronave në shfrytëzim.

“Ne si ekzekutiv i Komunës së Obiliqit do ofrojmë mbështetjen tonë në aspektet procedurale dhe ligjore, si Komunë e Obiliqit jemi të interesuar që përmes zhvillimit industrial në zonën e Llazarevës këto investime të ndikojnë në zhvillimin ekonomik të Obiliqit përmes hapjes së vendeve të reja të punës, me prioritet punësimi banorët e Obiliqit, po ashtu investimet të jenë në përputhje me ligjet mjedisore pra pa efekte negative në mjedis, në të njëjtën kohë të krijohen mundësi në financimin e projekteve të ndryshme në rritjen e hapësirave gjelbëruese”, ka thënë Gashi gjatë këtyre takimeve.

Siç bën me dije Zyra për Informim e Komunës së Obiliqit, takimet janë shoqëruar me bashkëbisedime në mes të përfaqësuesve të bizneseve dhe anëtarëve të asamblesë komunale, ku çështjet me prioritet që u diskutuan ishin në aspektin e punësimit të banorëve të Obiliqit, aspekti mjedisor e aspekti strategjik i parcelave në zonën kadastrale në Llazarevë.

Këto takime u zhvilluan me kërkesë të kryetarit Gashi, me qëllim që anëtarët e Kuvendit Komunal të Obiliqit të jenë të njoftuar në mënyrë të detajuar për investitorët aplikues dhe në këtë mënyrë sipas ligjeve në fuqi dhe përgjegjësisë që ata kanë, anëtarët e KK Obiliqit të vlerësojnë investitorët e duhur që të operojnë në Obiliq.