Arbëri

OJQ KOHA reagon për “sulmet e vazhdueshme të Komunës së Klinës”

Organizata Joqeveritare KOHA, në kuadër të projektit “Llogaridhënie dhe Transparencë Financiare e Institucioneve Publike Lokale” të financuar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, është në monitorim të Komunës së Klinës, me theks të veçantë të dikastereve që janë përgjegjëse për thithje të taksave, tatimeve dhe pagesave të tjera, si dhe të dikastereve që merren me menaxhimin e parasë publike.

Ky monitorim bëhet përmes një Memorandum Bashkëpunimi të paraqitur nga OJQ KOHA dhe të nënshkruar edhe nga Komuna e Klinës, me saktë nga kryetari i Komunës së Klinës, Sokol Bashota.

Megjithatë, sipas kësaj OJQ-je, mbetet shqetësuese gjuha që përdorin zyrtarët komunalë, me saktë të zgjedhurit nga qytetarët, të cilët janë të thirrur për të qeverisur drejtë dhe në mënyrë transparente.

“Në takimin e radhës së Komitetit për Politikë dhe Financa, të mbajtur me 13, Shkurt 2017, Drejtori i Financave, Ekonomisë dhe Zhvillimit, z.Ramiz Rrusta, këshilltari nga radhët e PDK-së, z.Halil Desku dhe këshilltari nga IQK, z.Ndue Shabanaj, akuzuan OJQ KOHA-në për publikim të ngutur të raporteve financiare të Komunës ende pa u miratuar, për afërsi me parti politike, me saktë për lidhje me Lëvizjen Vetëvendosje!, vetëm pse këshilltari i këtij subjekti, z.Skënder Mërturi, ka dalë në mbrojtje të veprimtarisë së shoqërisë civile, siç i ka dalë në mbrojtje edhe këshilltari nga radhët e LDK-së, z.Fadil Gashi. Madje, kishte edhe akuza kinse OJQ KOHA ka lidhje me gazetën nacionale Koha Ditore vetëm pse kjo medie ka botuar reagimet tona”, thotë kjo organizatë në reagimin e saj.

OJQ KOHA ka shprehur shqetësimin për, siç thotë, sulmet verbale dhe tendencat për ngushtimin e hapësirës për veprim të shoqërisë civile, me saktë të OJQ KOHA-së, meqë “drejtori i financave ka kërcënuar edhe për shkëputje të bashkëpunimit dhe të mos krijimit të mundësisë për qasje në raportet financiare komunale”.

“Sulme me fjalor të ndryshëm, në faza të caktuara, kanë bërë edhe zyrtarë të tjerë, siç kanë qenë akuzat dhe deklarimet e pabaza nga drejtori i Drejtorisë së Inspektoratit, z.Kolë Prenaj dhe kërcënimet për mbyllje të objektit komunal për OJQ KOHA-në nga nënkryetari i Komunës z.Enver Berisha”, thekson kjo OJQ.

OJQ KOHA dëshiron të ndajë me publikun ketë sfidë të vazhdueshme dhe t’i kujtojë zyrtarëve publik që dokumentet komunale janë publike, raportet periodike duhet të jenë publike edhe ne faza të ndryshme të diskutimit, përderisa diskutimi në Kuvendin Komunal nuk e ndryshon raportin meqë janë shifra zyrtare të paraqitura nga dikasteret që kanë shpenzuar mjetet publike të taksapaguesve të Klinës.

“Kjo sjellje bie ndesh funksionimin e organeve komunale ku transparenca dhe llogaridhënia zëvendësohen me mbyllje dhe mos llogaridhënie”, potencohet në reagimin e OJQ KOHA.

OJQ KOHA thotë se mbetet e përkushtuar për një qeverisje lokale transparente dhe llogaridhënëse, andaj edhe angazhimi dhe bashkëpunimi me secilin aktorë publikë, lokalë dhe nacionalë, do të ketë këtë qëllim edhe në të ardhmen.