Arbëri

Asociacioni i Komunave bashkë-financon katër projekte inovative komunale për efiçiencën e energjisë

Descriptive Text

Nën organizimin e Asociacionit të Komunave të Kosovës është mbajtur takimi me Menaxherët dhe Zyrtarët Komunal për Energji ku kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të Agjensionit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë dhe përfaqësues të GIZ-it.

Sipas njoftimit për media, në këtë takim, Menaxherët Komunal për Energji janë informuar edhe me projektin e nisur nga Asociacioni i Komunave të Kosovës me Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH, ku qëllimi kryesor i Projektit është të mbështesë komunat për të zbatuar politikat e Efiçiencës së Energjisë në nivelin lokal.

Kjo mbështetje, njoftohet se do të bëhet përmes fuqizimit të Qendrës së Trajnimit të AKK-së dhe trajnimeve të strukturuara për Menaxherët Komunal të Energjisë dhe bashkëfinancimit të projekteve inovative me komunat.

Sazan Ibrahimi, Drejtor Ekzekutiv i AKK-së tha se ky është një projekt fillestar dhe varet edhe nga kapacitetet e komunave sa ato kanë aftësi t’i absorbojnë apo t’i thithin ato fonde që do t’u ofrohen edhe në të ardhmen e për këtë, sipas tij, do të ngritin kapacitetet e komunave përmes Qendrës së Trajnimit.

Drejtori i Agjencisë së Kosovës për Eficiencë të Energjisë Arsim Kuliqi tha se si Agjencion në fillimin e punës jemi ballafaquar me mjaft sfida.

“Sfidat kryesisht konsistojnë në monitorimin e projekteve nëpër komuna. Edhe pse, komunat i kanë hartuar planet e veprimit në lidhje me Efiçiencën, por një sfidë të vërtetë paraqet mos emërimi i plotë i menaxherëve komunal për menaxhimin e energjisë. Ndryshe Agjencia ka fonde për të mbështetur komunat për menaxhimin e energjisë, prandaj i inkurajojmë komunat të aplikojnë për këto fonde. Në anën tjetër, ai kërkoi nga AKK-ja që të insistoj te komunat që domosdoshmërisht të caktojnë nga një zyrtar komunal për fushën e energjisë”, ka thënë ai.

Përfaqësuesi i Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë Admir Shala i inkurajoi komunat që të paraqesin projekt-propozimet e tyre në lidhje më menaxhimin e energjisë, kjo ngase sipas tij kriteret janë mjaft të qarta dhe mjaftueshëm të thjeshta për t’u plotësuar.

Qëllimi parësor i Fondit është që të ndihmojnë të gjitha projektet që ndikojnë në kursimin e energjisë elektrike.Në momentin që komuna e përfiton projektin e caktuar nga Fondi, pastaj Fondi është i obliguar që të merret me të gjitha procedurat e mëtutjeshme, pra Fondi e bën përzgjedhjen e kompanisë e cila do ta kryen punën, monitorimin e procesit dhe të gjitha procedurat tjera gjatë implementimit të projektit” tha ai.

Përfaqësuesi i GIZ – Projekti i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë Maliq Pireci tha se komunat i kanë të hartuara planet e veprimit në këtë fushë.

Një e arritur shumë e madhe sipas Pireci është edhe themelim i Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë.