Arbëri

Fondi i blegtorisë mbetet i vogël në Gjilan, Kamenicë dhe Viti

Fondi blegtoral në tri komunat e Anamoravës, Gjilan, Kamenicë dhe Viti në bazë të statistikave rezulton të jetë i varfër.

Sipas rezultateve të regjistrimit të bujqësisë që është realizuar në vitin 2014 në komunën e Gjilanit janë 7 mijë e 148 krerë gjedhe, 9 mijë e 340 krerë dele si dhe 2 mijë e 225 krerë dhi, raporton Koha Ditore.

Në komunën e Kamenicës sipas këtij regjistrimi janë 7 mijë e 78 krerë gjedhe, 5 mijë e 980 krerë dele si dhe 1 mijë e 134 krerë dhi. Në komunën e Vitisë regjistrimi flet për 8 mijë e 205 krerë gjedhe, 15 mijë e 403 dele si dhe 1 mijë e 539 krerë dhi.

Në drejtorinë e bujqësisë në Gjilan deklarojnë se ekziston interes i madh i atyre të cilët dëshirojnë që të merren me blegtori mirëpo deklarojnë se fondi i vogël i subvencioneve po e pamundëson implementimin e projekteve që kanë të bëjnë me shtimin e fondit blegtoral.

Drejtori i bujqësisë në këtë komunë, Ramiz Ramadani deklaron se nuk është arritur që të zhvillohet fondi blegtoral dhe se në këtë fushë është shënuar ngecje. Ai deklaron se ata janë duke implementuar një program me një organizatë për rritjen e fondit blegtoral ku edhe kanë shpërndarë 35 krerë lopë dhe se do të shpërndajnë edhe krerë tjerë nga një kontingjent i cili do të sjellët në Gjilan.

Thotë se ka numër të madh të kërkesave nga blegtorët të cilët duan të përfitojnë.

“Fondi është i vogël i blegtorisë dhe kjo tregon nivelin e zhvillimit. Problemin më të madh e kemi tek fondi i deleve që diku janë mbi 6 mijë që është një numër shumë i vogël. Mirëpo nuk po kemi mundësi të gjejmë ndonjë organizatë me të cilin do të bashkëpunonim dhe do të financonim me qëllim që të ketë rritje të numrit. Tek fondi i gjedheve kemi shpërndarë 35 krerë lopë dhe do të sjellim edhe një kontingjent. Jemi vonuar dhe tani kemi filluar që të merremi me fondin blegtoralë kërkon një investim më të madh dhe do të punojmë në këtë drejtim tash e tutje” ka thënë Ramadani për Koha Ditore.

Thotë se nevojat dhe kërkesat e blegtoreve nuk munden të plotësohen nga buxhet i varfër i komunës dhe se ata mundohen që t’i dalin në ndihmë në bazë të mjeteve që kanë në dispozicion si drejtori.

“I kemi 600 mijë euro subvencione dhe ato janë për gjitha njësitë janë për kulturën për sportin për bujqësinë. 300 mijë euro i kemi shfrytëzuar ne gati 50 për qind të fondit të subvencioneve dhe tani i kam 185 mijë euro. Për ne është e rëndësishme subvencionimi i mbjelljeve pranverore dhe vjeshtore dhe mandej është mekanizimi bujqësor dhe ka interesim të pakufizueshëm. Tek TIKA për çdo vjet konkurroj për lopë për dhi për dele sepse nëse arrijmë që të fitojmë ne kemi 30 për qind të investimit kurse 70 për qind është donacion dhe krejt luftën jemi duke bërë edhe në këtë drejtim për shkak të kufizimit buxhetor”, shprehet ai.

Ndërkaq zyrtarja në drejtorinë e bujqësisë në Viti, Sebahate Haziri deklaron se ata kanë një fond të varfër sa i përket investimeve që është 36 mijë euro mirëpo edhe me këtë shumë kanë investuar në blerjen e mekanizimit bujqësor të cilat janë shpërndarë.

“Po ka rënie të krerëve tek gjedhet kurse tek dhitë dhe delet numri pothuaj është i njëjtë. Ne u kemi ndihmuar shembull për lopët qumështoreve fermerëve u kemi dhënë makina mjelëse pastaj llaktofria kurse tek delet kemi dhënë makina për qethje. Është problem me ndihmu me 36 mijë euro mjete për investime në dispozicion. Ka pasur një ide për hapjen e një fabrike të djathit nga në investitor mirëpo më pas nuk ka pasur përparim”, thotë ajo.

Kurse në komunën e Kamenicë deklarojnë se sfidë për zhvillimin e blegtorisë mbetet infrastruktura e dobët rrugore në zonat rurale e cila ndikon tek disponimi edhe i fermerëve.

Ata deklarojnë se kanë bërë kërkesë në Ministrinë e Infrastrukturës për rregullimin e rrugëve. Drejtori i bujqësisë në këtë komunë, Naim Arifi shprehet i kënaqur me bashkëpunimin që kanë me Ministrinë e Bujqësisë ku përmes projekteve janë arritur që të hapen shumë ferma në zonat rurale.

jonë është vend i përshtatshëm për blegtori dhe bujqësi dhe nuk është i mjaftueshëm fondi mirëpo shkaku i kushteve infrastrukturore njerëzit po shpërngulen prej fshatrave. Në drejtorinë tonë subvencionet janë pesëfishuar dhe nga Ministria e Bujqësisë kemi pasur rreth 40 projekte. Vitin e kaluar janë ndërtuar 19 ferma dhe këtë vit kemi 15 ferma në zhvillim. Komuna i ka dërguar projektet tek Ministria e Infrastrukturës për rrugët dhe jemi në pritje që ato të dalin në tender. Duhet edhe të investohet në ndërtimin e rrugëve por edhe në hapjen e fermave” ka thënë ai.