Arbëri

Në disa qytete të Kosovës nuk pati rrymë për festë, e KEDS-i thotë se pati mbingarkesë

Një numër i madh i qytetarëve të Gjakovës, Vitin e Ri e pritën nën ndriçimin e qirinjve.

Në gjithë lagjen e njohur si “Blloku i Ri”, që nga orët e para të mbrëmjes u ndërpre energjia elektrike, raporton KTV.

Kjo ka acaruar edhe banorët e Gjakovës. Për ta, ishte e papranueshme që energjia të ndërpritet në ditë feste.

Sipas tyre, fajtore për një gjë të tillë janë pikërisht institucionet qeverisëse të vendit.

Mirëpo, Gjakova nuk ishte qyteti i vetëm që u ballafaqua me ndërprerje të energjisë elektrike.

Edhe në Fushë Kosovë, për orë të tëra, banorët mbetën në terr.

Njëjtë edhe në një pjesë të Prizrenit e Suharekës.

Për këtë, zëdhënës i KEDS-it, Viktor Buzhala, thotë se ka pasur mbingarkesë të rrjetit.

Sipas përfaqësuesve të KEDS-it, ky problem është rregulluar në orët e para të mëngjesit të 1 janarit.