Arbëri

Laboratori i ri i Qendrës kryesore familjare në Lipjan prej disa muajsh jofunksional

Këshilltarët në KK të Lipjanit kanë kërkuar përgjegjësi nga Komuna me arsyetim se janë shpenzuar mijëra euro për blerje të pajisjeve mjekësore, të cilat nuk po funksionojnë prej disa muajsh.

Sipas kuvendarëve, muaj më parë është blerë një aparat për kryerjen e analizave të hemogramit, mirëpo ai nuk po funksionon për shkak se nuk i përshtaten reagensët, të cilët i posedon Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Lipjan, shkruan sot “Koha Ditore”.

Rreth kësaj çështjeje është debatuar edhe në mbledhjen e fundit të KK-së, mirëpo këshilltarët nuk kanë marrë përgjigje konkrete. Lumturije Bytyqi - Hasani, këshilltare në KK të Lipjanit nga radhët e PDK-së, ka thënë se Komuna duhet të jepte përgjegjësi pasi me paratë e qytetarëve ka blerë aparaturë që nuk hyn në funksion.

Sipas saj, në mbledhjen e fundit të KK-së nuk është përgjigjur askush nga Ekzekutivi rreth kësaj çështjeje. “Para disa muajve QKMF-ja është furnizuar me pajisje aparaturash mjekësore, ndër to edhe laboratori i QKMF-së me një aparat për hemogram. Por përkundër kësaj, analizat e hemogramit vazhdojnë të kryhen me aparat të vjetër, sepse aparatit të ri nuk i përshtaten reagensët që QKMF-ja i posedon.

Nga ana tjetër Vlora Limani-Hajnuni, drejtoreshë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Komunën e Lipjanit, ka thënë se aparatura e blerë funksionon, por do të ishte ideale sikur që edhe reagjentët të jenë të tipit të aparaturës, mirëpo, sipas saj, është e pamundur një gjë e tillë, sepse Ligji i prokurimit nuk ua ka lejuar të blejmë një prodhim të caktuar të aparaturës.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)