Arbëri

Qytetarët e Gjakovës sërish ankohen për mbylljen e dyqaneve gjatë festave

Të gjitha dyqanet, pos atyre të ushqimit të shpejtë, janë të mbyllura në ditë festash në Komunën e Gjakovës. Disa qytetarë të kësaj komune po e kundërshtojnë këtë vendim, pasi që thonë se nuk kanë ku të furnizohen me gjëra të nevojshme.

Ata thonë se sa herë ka festa, janë të detyruar të furnizohen me gjëra ushqimore një ditë më herët, raporton KTV.

Përderisa, disa të tjerë e mbështesin vendimin e komunës për mbylljen e të gjitha dyqaneve gjatë ditëve festive.

Por, këtë vendim të Komunës së Gjakovës po e kundërshtojnë edhe bizneset.

Ndonëse nuk kanë dashur të prononcohen, ata vlerësojnë se ky vendim i ka dëmtuar bizneset në këtë qytet.

Madje, kanë shtuar se vendimi është marrë pa u konsultuar fare me bizneset.

Në përgjigjen e komunës thuhet se bizneset kanë pasur afatin kohor që të ankohen dhe se për këtë rregullore ata kanë konfirmimin e ligjshmërisë nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal. Pra, sipas zyrtarëve komunalë, për këtë rregullore, komuna ka ndjekur të gjitha procedurat ligjore, në përputhje me afatet e parapara.