Arbëri

Lipjani bëhet me qendër edukative korrektuese për të miturit e burgosur

Nga jashtë, duket si objekt shkollor. Pikërisht ky ishte edhe qëllimi i ndërtimit të Qendrës Edukative Korrektuese për të miturit në Lipjan, e cila tashmë është hapur.

Deri më tash, të miturit e dënuar për armëmbajtje pa leje, vjedhje si dhe për vepra të tjera penale qëndronin në burgun e Lipjanit, bashkë me persona të dënuar për vepra më të rënda, por tani do të trajtohen krejt në mënyrë të veçantë, raporton KTV.

Të miturit e dënuar më pak se pesë vjet do të kenë mundësinë që të kryejnë aktivitete të ndryshme edukative arsimore, në mënyrë që të socializohen sa më shpejt në shoqëri.

Aq e hapur do të jetë kjo qendër saqë edhe disa dyer do të qëndrojnë të hapura, ndërsa gardianët nuk do ta mbajnë as uniformën e tyre zyrtare.

Ndërsa nga viti i ardhshëm planifikohet që të miturit e burgosur të dërgohen në shkolla publike, në mënyrë që mësimet t’i ndjekin bashkë me moshatarët e tyre.

Sokol Zogaj, u.d. i drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, thotë se edhe ata të mitur, të cilët provojnë të largohen nga aty, gardianët nuk kanë të drejtë t’i ndjekin, por vetëm do të shkruajnë raport me shkrim.

Ndërsa, varësisht prej sjelljeve, atyre do t’u lejohen edhe vizitat jashtë këtij objekti dhe të shkojnë në shtëpitë e tyre për t’u kthyer sërish.

Mirëpo, për ata të cilët mendojnë t’i thyejnë rregullat janë ndërtuar dhoma të veçanta me grila.

Financues të kësaj qendre, e cila vlerësohet si e vetmja e llojit të tillë në regjion dhe më gjerë janë Bashkimi Evropian, me një milion e gjysmë euro dhe Qeveria e Kosovës, me 70 mijë euro.