Arbëri

Ndërtimi i objektit shkollor në Pejë, peng i procedurave pronësore

Megjithëse Komuna ka shpresuar të kryhet në fundvit, çështja e pronësisë së tokës ku parashihet të ndërtohet objekti i ri i shkollës “7 Shtatori” nuk ka marrë epilog.

Toka ku parashihet ndërtimi i objektit të ri është pronë shoqërore në menaxhim të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP). Ajo duhet të bartet në pronësi të Komunës, në mënyrë që Komuna pastaj ta ndajë buxhetin për fillimin e ndërtimit të kësaj shkolle, shkruan sot “Koha Ditore”. Mirëpo, siç tregon drejtori për Çështje Pronësore-Juridike në Komunën e Pejës, Edmond Shala, këto procedura nuk kanë ecur shumë përpara.

“E kemi marrë dokumentacionin dhe procedurat kanë nisur dhe janë ende në zhvillim. Por kemi pasur pak telashe edhe me zyrën e vlerësimit”, thotë Shala, pa treguar ndonjë periudhë të mundshme kur mund të kryhet ky proces dhe ajo tokë të bartet në pronësi të Komunës, që projekti i shkollës të mund të nisë të realizohet.

Këto telashe që i kanë dalë Komunës, me këtë pronë që do të ndërtohet shkolla ndërlidhen me vlerën e pronës që do të caktohet për t’u paguar 20 përqindëshi që obligohet Komuna t’ia paguajë AKP-së, në procesin e kthimit të tërësishëm të pronës, njëjtë sikur e paguajnë privatizuesit e ndërmarrjeve shoqërore 20 përqindëshin për ish-punëtorët e asaj ndërmarrjeje shoqërore që privatizohet.

Në mesin e pronave të ndërmarrjeve shoqërore që i barten Komunës, përveç dy ngastrave ku do të ndërtohet shkolla, janë edhe 12 prona të tjera shoqërore, të cilat janë në mesin e pronave që janë përfshirë në vendimin e datës 18 shtator 2018, të Qeverisë së Kosovës në shkuarje, për tërheqjen nga procesi i privatizimit dhe bartjen në pronësi të disa komunave, në mesin e tyre edhe Komuna e Pejës.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)