Arbëri

Dy shkolla në Kamenicë prej tre muajsh shpërfillin Drejtorinë e Arsimit

Mësimdhënësit e shkollës fillore “Hasan Prishtina“ në fshatin Busavatë dhe mësimdhënësit në shkollën fillore “7 Shtatori” në fshatin Krilevë po vazhdojnë shpërfilljen e Drejtorisë komunale të Arsimit.

Me vendim të saj, këto dy shkolla prej tre muajsh është dashur të jenë të mbyllura, shkaku i reformës arsimore të iniciuar nga kryetrari Qëndron Kastrati.

Mësimdhënësi në shkollën fillore “Hasan Prishtina”, Ismet Maliqi, ka thënë se me vetëfinancim kanë blerë ditarët për klasat dhe kanë siguruar edhe tekstet shkollore. Edhe lëndën djegëse për ngrohje e kanë siguruar vetë, shkruan sot Koha Ditore.

“Komuna po deklaron se shkolla duhet të mbyllet dhe për atë arsye nuk kanë sjellë ditarët dhe tekstet shkollore. Tani ditarët i kemi blerë vetë me organizimin e këshillit të prindërve, gjithashtu librat nuk janë dorëzuar nga ana e Drejtorisë së Arsimit dhe jemi detyruar që të organizohemi dhe i kemi siguruar vetë aq sa kemi mundur. Ka ndonjë pengesë, mirëpo shumica e teksteve shkollore janë siguruar për nxënësit. I kemi siguruar edhe 40 metra dru për ngrohjen e shkollës dhe këto janë dhuruar nga banorët”, ka thënë ai.

Sipas tij, nuk do të lejohet mbyllja e shkollës, në të cilën vijojnë procesin mësimor 105 nxënës.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)