Arbëri

Banorët e Zllatarit padisin KEDS-in pasi u rrezikuan nga këputja e kabllos në shtyllë

Nxënësit e shkollës fillore “4 Prilli” në Zllatar të Ferizajt, të martën për pak i shpëtuan më të keqes, pas një defekti me rrymën.

Kjo pasi një kabllo e tensionit të ulët e shtyllës elektrike që ndodhet në oborrin e kësaj shkolle, u këput duke i rrezikuar fëmijët, raporton KTV.

Drejtori i shkollës, Ibrahim Sallahu, thotë se në kohën kur ndodhi këputja e telit të rrymës, për fat të mirë nxënësit ishin duke e ndjekur mësimin.

Sallahu tha se pavarësisht se kishin bërë kërkesë në KEDS për ndërrimin e kësaj shtylle elektrike, që është tejet e vjetruar, nuk është ndërmarrë asgjë nga kjo kompani.

Sipas tij vetëm kur ka ndodhur këputja e telave, KEDS-i ka intervenuar për ta ndërruar këtë shtyllë elektrike.

Në anën tjetër, edhe përfaqësuesi i këtij fshati që njëkohësisht është edhe asamblist komunal, Xhevat Sallahu ,thotë se ajo shtyllë duhet të largohet nga oborri i shkollës, në mënyrë që mos të rrezikohen sërish fëmijët.

Sallahu shton se i gjithë fshati ka problem me sistemin e vjetër elektrik, i cili është instaluar pothuajse pesë dekada më parë.

Ndërsa, Ramadan Ahmeti, drejtor i KEDS-it në Ferizaj ka thënë se pas marrjes së informacionit, ekipet kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe e kanë rregulluar defektin. Sipas tij, KEDS-i është duke i shikuar mundësitë për ta bërë një zgjidhje më të mirë në të ardhmen dhe në oborr të shkollës të mos ketë fare shtyllë elektrike.

Megjithëkëtë, Këshilli i fshatit është duke i shqyrtuar mundësitë që të ngritë padi ndaj KEDS-it për këtë problem.